Ekonomi

Krasniqi i ashpër me qeverinë: Qytetarët e Kosovës në mëshirë të fatit

Autori: Islam Morina 17:32 | 14 July 2022

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër qeverinë e cila nuk po ndërmerr kurrfarë masash për të ulur nivelin e krizës në vend, duke thënë se qytetarët kanë mbetur në mëshirë të fatit.

Këto kritika të Krasniqit vinë pas publikimit të një raporti ku Kosova renditet në mesin e shteteve me inflacionin më të lartë, shkruan Gazeta Infokus.

Krasniqi ka dhënë një paralajmërim të frikshëm duke thënë se më e keqja nuk ka ardhur akoma, pasi dimri që vjen do të jetë jashtëzakonisht i rënd.

-Advertisement-

Postimi i plotë i Krasniqit:

“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global, me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë.
Rrjedhimisht, me të njëjtat të hyra si deri dje, secili qytetar i vendit tonë, sot blenë më pak produkte e siguron shumë më pak shërbime.

Për dallim nga shtetet tjera, të cilat kanë një ekonomi më të fuqishme dhe përmes masave qeverisëse po lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre, qytetarët e Kosovës kanë mbetur nën mëshirën e fatit.

Në kulmin e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje.
Fatkeqësisht, më e keqja akoma pritet që të vije për ekonominë dhe qytetarët tanë. Analizat ekonomike paralajmërojnë se dimri që po vjen pritet të jetë jashtëzakonisht i rëndë.

Rritja deri në trefish e çmimit të energjisë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse për ngrohje, do të jenë sfidë shumë e rëndë për secilën familje. Çmimet e derivateve dhe të ushqimeve nuk pritet aspak të zbresin. Pandemia po e rikthen intensitetin e saj, e, sipas gjendjes faktike, mundësia për rritjen e pagave është tepër e vogël.

Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe.

Si Parti Demokratike e Kosovës, ka kohë që kemi propozuar heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për produktet ushqimore.

Kjo tashmë nuk është vetëm një propozim, por, një kërkesë urgjente që po i bëjmë kësaj Qeverie për të reaguar. Dita është sot. Koha është menjëherë. Tashmë jeni vonë!”, ka shkruar Memli Krasniqi në Facebook./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera