Lajme

KQZ’ja nis shpërndarjen e materialit zgjedhor

Autori: Gazeta inFokus 10:32 | 16 October 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka nisur të shtunën që të shpërndajë materialin zgjedhor – përfshirë fletëvotimet – për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Në këto zgjedhje, qytetarët do të mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.

Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka sqaruar mënyrën se si mund të votoni me kusht në zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.

Përmes një postimi në Facebook, Elezi ka sqaruar se votimi me kusht është i mundur për një votues vetëm brenda komunës ku ai është i regjistruar si votues.

Ky lloj votimi s’është i mundur nga njëra komunë në tjetrën.

“Është e nevojshme të sqarojmë se votimi me kusht është i mundur për një votues vetëm brenda komunës ku ai është i regjistruar si votues. Votimi me kusht nuk është i mundur nga njëra komunë në tjetrën. Pra, votuesi i një komune nuk mund të votojë në komunën tjetër.

Për dallim nga Zgjedhjet për Kuvend në të cilat e gjithë Republika e Kosovës është një zonë zgjedhore, në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e asaj zone ka fletëvotime vetëm të asaj komune”, ka shkruar Elezi.

Të tjera