Lajme

KQZ-ja pritet të vendos nesër nëse ka nevojë të rinumërohet ndonjë vendvotim

Autori: Gazeta inFokus 14:51 | 20 October 2021

Puna në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon në tri ndërrime, teksa pritet që gjatë ditës së enjte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbajë mbledhjen e radhës për të shqyrtuar raportin e QNR-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se nesër pritet të merret vendim në lidhje me ndonjë rinumërim të mundshëm të vendvotimeve.
Kjo do të bëhet gjatë mbledhjes së KQZ-së, në bazë të rekomandimeve që vijnë në raportin e QNR-së.

“Të enjten KQZ-ja do të mbaj mbledhjen e radhës, për të shqyrtuar raportin që del nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të atyre vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta pasi është vërejtur ndonjë parregullsi e natyrave të ndryshme”, u shpreh Elezi në konferencë për medie.

-Advertisement-

Zëdhënësi i KQZ-së tha se pas rekomandimit nga QNR-ja, KQZ-ja do të vendos nëse është e nevojshme të bëhet rinumërimi i ndonjë vendvotimi me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda një kutie të votimit.

“Në QNR është duke u bërë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve, që është i domosdoshëm sepse mund të krahasojmë pjesëmarrësit në vendvotime të rregullta me persona që kanë votuar me kusht, për të parë nëse dikush ka votuar dy herë, do të thotë edhe me kusht edhe në vendvotim të rregullt”, tha Elezi.

Po ashtu, KQZ-ja është duke pritur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me ankesat.

“Afati ligjor për vendosjen në lidhje me ankesa përfundon të enjten, prandaj jemi duke pritur për të parë vendimet e këtij institucioni dhe për të vepruar në përputhje me to”, tha Elezi.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera