Lajme

KQZ-ja në përgatitje të zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicën veriore, nuk dihet si do të votojnë të infektuarit me koronavirus

Autori: Gazeta inFokus 20:08 | 28 October 2020

Më 29 nëntor në Podujeve dhe Mitrovicën veriore do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në dy komuna të Kosovës, në Podujevë dhe Mitrovicën veriore më 29 nëntor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për të parin e komunës.

Në Podujevë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte shpallur zgjedhjet për datën 15 mars mirëpo, për shkak të pandemisë me COVID-19, ishin shtyrë këto zgjedhje.

-Advertisement-

Për të parin e Podujevës më 29 nëntor do të kandidojnë Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në anën tjetër akoma nuk janë certifikuar kandidatët për zgjedhjet në Mitrovicën e veriore dhe afati i fundit për certifikim është data 30 tetor.

Edhe pse presidenti ka shpallur këto zgjedhje, rastet me koronavirus në Kosovë javëve të fundit janë në rritje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se KQZ-ja është duke vazhduar përgatitjet për zgjedhjet në këto dy komuna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto dy komuna. Në këtë drejtim janë miratuar Planet Operacionale ku janë të listuara të gjitha aktivitetet dhe mbi bazën e tyre po zhvillohet procesi i përgatitjes së këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, sfidues mbetet fakti që këto zgjedhje do të mbahen në kohën e pandemisë dhe akoma Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nuk ka dhënë ndonjë udhëzim apo rekomandim.

“Natyrisht se këto zgjedhje janë më sfiduese nëse krahasohen me proceset e kaluara zgjedhore dhe të jashtëzakonshme, sepse përveç që duhet të organizohen brenda një periudhe të shkurtër kohore, kësaj radhe përballemi edhe me rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19. Duke u mbështetur edhe në dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen dhe caktimin e datës së këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse. Në këtë drejtim, KQZ ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë rekomandimet dhe udhëzimet që duhet t’i zbatojmë për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, theksoi Elezi për lajmi.net.

I pyetur se si do të votojnë personat të cilët janë të prekur me koronavirus, Elezi ka thënë se edhe në mbledhjen që KQZ-ja ka mbajtur më 24 tetor të këtij viti, janë dërguar shkresa në MSH dhe IKSHPK, mirëpo akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje deri më tani.

“Për këtë çështje është diskutuar në mbledhjen e kaluar (24 tetor) të KQZ-së. Besojmë se së shpejti do të kemi një qartësim të situatës edhe në këtë drejtim”, u shpreh Elezi.

Por pavarësisht kësaj, Elezi ka bërë të ditur për lajmi.net, se KQZ-ja ka buxhet të mjaftueshëm për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe se nuk do të bëjnë kërkesë të re në Qeverinë e Kosovës, por vetëm do të bëjnë transfero të mjeteve nga buxheti i rregullt i KQZ-së.

“Zakonisht kur ka zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të planifikohen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën kërkesë në Qeverinë e Kosovës për buxhet shtesë në mënyrë që të bëhet i mundur organizimi i tyre. Në këtë drejtim, në muajin shkurt KQZ-së i janë ndarë rreth 394 mijë euro për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës. Për aktivitetet e zhvilluara gjatë asaj kohe janë shpenzuar më shumë se 80 mijë euro. Ndërsa, tani gjatë muajit tetor, pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme edhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, KQZ ka miratuar planin e buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre si dhe të buxhetit për zgjedhjet në Podujevë, në shumën e përgjithshme 193 mijë e 181 euro. Për këto mjete, pas disa rishikimeve, nuk do të bëjmë kërkesë të re në Qeverinë e Kosovës, por vetëm transfer për ndarjen e këtyre mjeteve nga buxheti i rregullt i KQZ-së”, tregoi Elezi për lajmi.net.

Në anën tjetër Elezi ka bërë të ditur se akoma nuk dihet numri i saktë i votuesve në këto dy komuna, pasi që nuk janë certifikuar listat.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve të këtyre dy komunave”, tha Elezi.

Ndryshe Podujeva dhe Mitrovica veriore kishin shkuar në zgjedhje për shkak se kryetarët e këtyre dy komunave kishin marrë poste në Qeverinë e Kosovës. Fillimisht në muajin shkurt kur ishte votuar “Qeveria Kurti”, në atë kohë Agim Veliu ishte emëruar në postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe në këtë mënyrë, Podujeva kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, në muajin qershor, pasi që kishte rënë “Qeveria Kurti” dhe ishte votuar “Qeveria Hoti”, Goran Rakiq, i cili deri në atë kohë mbante postin e të parit të Mitrovicës veriore, ishte emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Theksojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 tetor kishte shpallur 29 nëntorin datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicën veriore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera