Lajme

KPK nuk shpall konkurs, e cakton Njazi Rexhën ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

Autori: Gazeta inFokus 16:22 | 11 July 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 250-të të mbajtur të enjten ka caktuar Njazi Rexhën ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Deri tek marrja e këtij vendimi KPK erdhi pasi më 2 gusht 2024, kryeprokurori aktual Ismet Ujkani arrin moshën e pensionimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, KPK ka marr vendim që prokurori Ujkani të propozohet tek presidentja për lirim nga detyra për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.

-Advertisement-

Kujtojmë se Ujkani ishte zgjedhur në pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë më 24 dhjetor 2020. Mandati i tij në këtë pozitë kishte filluar nga 1 janari 2021.

Sa i përket caktimit të ushtruesit të detyrës në pozitën e kryeprokurorit, kryesuesi i këshillit, Ardian Hajdaraj tha se janë duke punuar për hartimin e Rregullores së re dhe se do ta shpallin konkursin pas miratimit të kësaj rregulloreje.

“Meqenëse Komisioni për Çështje Normative është duke e hartuar në mënyrë intenzive Rregulloren për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës si dhe së shpejti do të përfundojnë mandatin edhe disa kryeprokuror të tjerë dhe me qëllim të ekonomizimit të procedurës konsideroj se duhet të caktojmë një ushtrues detyre të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë deri në përfundim të kësaj rregulloreje si dhe hapjen e konkursit të ri”, tha kryesuesi Hajdaraj.

Megjithatë, lidhur me këtë vendim pati kritika anëtari nga radhët e Fakulteteve Juridike, profesori Dardan Vuniqi.

“ E para nuk po më pëlqen logjika që na me mbet me ushtrues detyre, e dyta hera e parë është që une jam njoftu në mënyrë formale lidhur me pensionimin e tij. Rregullorja e tanishme nuk ka qenë pengesë sepse ajo mundet edhe fare të mos draftohet mund të ketë afat ose interval kohor 3, 4 ose 5 muaj varësisht edhe akterëve që po na kontribuojnë në këtë rregullore. Dhe ndaj mendimin që mos me kriju një praktikë të tillë, sepse çështja e pensionimit të tij ka qenë e ditur për juve akterëve që jeni këtu ndër muaj të mos them ndër vite”, tha Vuniqi.

Ndryshe, prokurori Rexha është prokuror në Departamentin për Krime të Rënda (DKR) të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Gjatë këtij takimi KPK ka miratuar edhe Rregulloren për Klasifikimin e vendeve të punës të administratës në sistemin prokurorial

Tutje, KPK ka vendosur për avancimin e prokurores Leonora Kadriu nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Puna e saj në këtë departament do të fillojë nga 1 gushti 2024.

Po ashtu, Këshilli ka vendosur për avancimin e prokurorit Besnik Nuredini nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Puna e tij në këtë departament do të fillojë nga 1 gushti 2024.

Këshilli gjithashtu vendosi edhe për avancimin e prokurorëve Arianit Salihu, Luljeta Bilalli, Eset Rama, Besnik Jakupi, Elza Bajrami dhe Menduhi Kastrati nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Puna e tyre në këtë Departament do të fillojë nga 1 gushti 2024.

Lidhur me këtë proces të avancimit ka pasur një kundërshtim nga prokurori Musa Meha i cili nuk është rekomanduar nga Komisioni për avancim në DKR. Mirëpo, kundërshtimi i tij u refuzua nga Këshilli.

Lidhur me kundërshtimin e prokurorit Meha, anëtari Armend Zenelaj tha se Komisioni për Avancim ka bërë shkelje të rregullores për prokurorin në fjalë.

Ndërsa, anëtari Jetish Maloku tha se do të kërkoj një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion nëse mund të marrë pjesë në votim dhe se i njëjti ka kërkuar nga Këshilli të mos votohet për avancimin e gjashtë prokurorëve por të pritet opinioni.

Lidhur me këtë çështje zëvendës kryesuesja Jehona Grantolli tha se anëtari Maloku ka konflikt të interesit nëse merr pjesë në votim për avancimin e gjashtë prokurorëve.

“Sa i përket çështjes së konfliktit të interesit për hir të interesit publik edhe nihere po du me theksu në këtë Këshill në të kaluarën janë zhvilluar shumë procedura ku epror të institucionit kanë marrë pjesë në vendimmarrje për familjarë dhe mua po me vjen mirë që në fund të gjithë kemi reflektuar sa i përket çështjes së konfliktit të interesit dhe unë jam njëra ndër anëtaret e para të Këshillit që jam ballafaquar me procedura të cilat janë iniciuar në mënyrë anonime nga dikush që sot e kësaj dite nuk e di por që do ta marrë vesh, pikërisht për çështjen e konfliktit të interesit dhe më vjen shumë mirë që tani ish kryesuesi po e ngrit si shqetësim dhe vetëm dua që ta inkurajoj por edhe që t’i them se unë personalisht mendoj që ju keni konflikt të interesit në çështjen për të cilën veç po kërkoni mendim nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsion, kështu që mos hezitoni fare që të tërhiqeni nga kjo vendimmarrje sepse në bazë të ligjit jeni në konflikt të interesit”, tha Maloku.

Në fund ish-kryesuesi Maloku nuk mori pjesë në votim.

Ndryshe, gjatë këtij takimi KPK ka njoftuar lidhur me arritjen e moshës së pensionimit të prokurorit Afrim Shefkiu i cili do të pensionohet më 14 gusht 2024 dhe prokurores Zejnije Kela e cila do të pensionohet më 10 gusht 2024.

Tutje, anëtarët e Këshillit kanë aprovuar propozimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi i cili ka propozuar që prokurori Bashkim Zeqa të jetë udhëheqës i Departamentit për Krime të Rënda ndërsa prokurori Fatmir Behrami udhëheqës i Departamentit për të Mitur. Ndërsa, sa i përket propozimit për lirim të normës KPK ka vendosur që për këto të vendos pas një analize.

Gjatë këtij takimi ka raportuar edhe prokurori Shqipdon Fazliu koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. I njëjti ka raportuar për periudhën tetor – dhjetor 2023 dhe për periudhën janar – mars 2024.

Lidhur me vonesën e raportimit kritika ka pasur anëtari Zenelaj i cili tha se është e papranueshme kjo vonesë në raportim.

Ndërsa, prokurori Fazliu tha se për shkaqe të ndryshme është vonuar raportimi, pasi në një takim kishte qenë jashtë vendit ai e në një takim tjetër kryesuesi i kaluar. Por se i njëjti shtoi se raporti kishte qenë i hartuar qysh moti.

Fazliu tha se rekomandimet e paraqitura në raportet e kaluara mbesin ende të vlefshme dhe se të njëjtat ende nuk kanë gjetur zbatim.

Ai shtoi se sfidë mbetet shitja e aseteve ku tha se ka vetura në Agjenci që nuk janë shitur që 12 vjet e që kjo sipas tij po e dëmton edhe buxhetin e shtetit dhe po e zbeh rëndësinë e sekuestrimit dhe konfiskimit.

Tutje, Fazliu tha se duhet bërë një punë më e madhe nga prokurorët sa i përket sekuestrimit. Ndërsa, sa i përket Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara ai tha se në fazën fillestare janë 5 raste në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe 2 raste në Prokurorinë Themelore në Prizren por që sipas tij ende ka sfida në zbatimin e këtij ligji.

Pikat tjera të rendit të ditës kanë vazhduar me dyer të mbyllura ku do të diskutohet edhe kundërshtimi i prokurorit Arben Ismajli për çështjen e konkursit për avancim në PSRK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera