Lajme

KPK-ja hap konkurs për pozitën e kryeprokurorit në Gjakovë

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 23 May 2023

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku u prezantuan raportet e kryeprokurorëve të prokurorive të vendit për periudhën janar-mars 2023, raporte këto, që u aprovuan nga anëtarët e KPK-së.

Më pas, KPK-ja mori vendim për shpalljen e konkursit për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, nga data 1 qershor 2023, me ç’rast themeloi panelin vlerësues dhe Komisionin për Rishqyrtim, si dhe vendosi për hapjen e shpalljes së brendshme për avancimin e dy prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Anëtarët e Këshillit Prokurorial miratuan edhe raportin e Komisionit për avancimin e pesë  prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe aprovuan kërkesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për transferimin e përkohshëm të dy prokuroreve nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, si dhe morën vendim për hapjen e shpalljes së brendshme për transferimin e përhershëm të dy prokurorëve në këtë prokurori.

-Advertisement-

Gjithashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi dy raporte të Komisionit të Vlerësimit të Performancës për 16 prokurorë me mandat të përhershëm dhe aprovoi një marrëveshje vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera