Fokus

KOSTT paditë ZRRE-në që e futi në borxhe milionëshe dhe po e dërgon drejt falimentimit për rrymën e serbëve të veriut

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 24 May 2022

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) e ka quar buzë falimentimit Operatorin e Sistemit Transmisioni dhe Tregut (KOSTT). Kjo e fundit akuzon ZRrE-në se e obligoi ‘kundërligjshëm’ të mbuloi faturat e energjisë elektrike për katër komunat e Veriut të Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

KOSTT duke u thirrur në dëmin që po ia shkakton neni 5 i licencës së ZRRE-së, Nr.ZRRE/Li_15/17 ka ngritur padi kundër ZRRE-së në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gazeta Infokus ka siguruar një kopje të kësaj padie e ku pala paditëse, KOSTT, pretendon se pikërisht neni 5 i kësaj licence ka qenë i kundërligjshëm dhe si pasojë e kësaj ata kanë përmendur edhe në gjykatë se janë para falimentimit dhe janë zhytur në borxhe për shkak të obligimeve që rrjedhin nga kjo licencë për t’i paguar borxhet e rrymës serbeve të veriut të Kosovës.

-Advertisement-

Në nenin 5 të kësaj license thuhet: “1. Kur kërkohet me ndonjë vendim apo udhëzim lëshuar të licencuarit nga Rregullatori, i licencuari duhet të siguroj energji elektrike për të kompensuar humbjet që dalin nga energjia e shfrytëzuar, por jo e paguar, nga konsumatoret në pjesën veriore të Kosovës. 2. në llogarit e tij rregullative, i lecensuari duhet se sigurohet së regjistron ndarasi kostot e shkaktuara nga ai për blerjen e energjisë elektrike”, thuhet në këtë nen.

Në këtë padi, KOSTT pretendon se në vitin 2017 e këndej në mungesë të të hyrave, sipas licencës në fjalë, kjo ndërmarrje vazhdimisht është përballur me vështirësi për mbulimin e kostos financiare për humbjet e energjisë elektrike të shkaktuara në katër komunat e veriut të Kosovës. Ndërkaq, siç potencohet në këtë padi, KOSTT është vënë në pozitë të vështirë financiare dhe paga e mëtejme e këtij obligimi do të vëj në pikëpyetje ekzistimin e kësaj ndërmarrje.

“Ndonëse paditësi (KOSTT) në vazhdimësi ka kërkuar prej të paditurit (ZRrE), nëpërmjet kërkesave që të gjej mekanizma adekuat për mbulimin e këtyre humbjeve, apo për ndryshimin e licencës, por i padituri i ka injoruar ato kërkesa”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e padisë.

Pikërisht për këto shkaqe dhe për t’i evituar pasojat e dëmshme e të pa parashikueshme lidhur me ushtrimin e veprimtarisë së kësaj ndërmarrje, KOSTT ka parashtruar kërkesë dhe ka marrë përgjigje nga ZRrE, por sipas të cilës nuk ka krijuar mekanizma adekuat për mbulimin e devijimit të energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës.
Ndër të tjera si provë në këtë padi KOSTT ka paraqitur edhe fakte tjera.

“E paditura (ZRRE) qoftë nëpërmes Licencës (Neni 5 i Licencës) apo mekanizmave tjerë financiar nuk ka siguruar që humbjet e shkaktuara si rezultat i devijimit për 4 komunat e veriut, të njëjtat të mbulohen ma tarifat e transmetimit apo mekanizmat tjerë financiar. Duke qenë se tashmë Paditësi me pagesat e devijimit të energjisë elektrike për 4 komunat në fjalë, përballet me pamundësi të pagesës se kësaj rryme të shpenzuar, andaj në bazë të gjendjes të këtillë të kësaj çështjeje, sipas dispozitës së Nenit 36 par.1 nënpar 1, dhe nenit 37 par.1 nënëpar 2 të Ligjit të Rregullatori të Energjisë, i propozojmë Gjykatës që të vendosë si në Petitumin e kësaj Padie”, thuhet në njëën nga provat e paraqitura nga KOSTT, në padinë e siguruar nga Gazeta Infokus.

Ndërkaq në aktgjykimin e KOSST ndaj ZRRË-së është kërkuar që të:

Pranohet në tërësi si e bazuar padia e paditësit KOSTT, sh.a;

Anulohet Neni 5 i Licencës së Zyrës së Rregullatorit për Energji nr.ZRRE/Li_15/17;

Lirohet Paditësi nga detyrimi i pagesës së devijimit të rrymës elektrike, sipas Nenit 5 të Licencës Nr.ZRRE/Li_15/17;

Obligohet e Paditura që paditësit të ia paguaj kompensimin e dëmit nga dt e dhënies së Licencës dt.13.04.2017 e deri paraqitjen e padisë, me kamatë ligjore prej 8 %, deri në pagesën difinitive nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm;

Kurse në arsyetimin e kësaj padie nga KOSTT ndaj ZRrE-së thuhet se “nuk është kontestuese që Sipas Neni 5 të Licencës Nr. ZRRE/Li_15/17, është parashikuar obligimi i Paditësit për kompensimin e humbjeve të energjisë elektrike, për 4 komuna me shumicë serbe në pjesën veriore te Republikës se Kosovës.

“Prej vitit 2017 e këndej, në mungesë të të hyrave, sipas Licencës ne fjale, KOSTT sh.a. në vazhdimësi është përballë me vështirësi për mbulimin e kostos financiare për humbjet e energjisë elektrike tê shkaktuara në katër komunat e veriut të Kosovës.

Ndërkaq nga viti 2020 e këndej KOSTT sh.a. është vënë në pozitë të vështirësive financiare dhe se pagesa e mëtejshme e këtij obligimi do ta vej në pyetje ekzistimin e kësaj ndërmarrje ndoshta edhe falimentimin e saj.

Ndonëse Paditësi ne vazhdimësi ka kërkuar prej të Paditurit, nëpërmjet kërkesave te mëhershme si ajo nr.356/010,e v.2018 dhe tjetra nr.779 e v.2021, qe te gjeje mekanizma adekuat për mbulimin e këtyre humbjeve apo për ndryshimin e Licencës, por i Padituri i ka injoruar këto kërkesa. Pikërisht për këto shkaqe dhe arsye, për te evituar pasojat e dëmshme e të paparashikueshme lidhur me ushtrimin e veprimtarisë se kësaj ndërmarrjeje, KOSTT ka parashtruar kërkese me dt.08.02.2022, dhe ka marre përgjigje nga pala e Paditur, sipas të cilës jo vetëm qe nuk ka krijuar mekanizma adekuat për mbulimin devijimit të energjisë elektrike për katër komunał e veriut te Kosovës, duke theksuar se e paditura nuk munde te vendose ne mënyre meritore”, thuhet në padinë e KOSTT-it ndaj ZRRE-së.

Në vitin 2021 Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pati aprovuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për të paguar 11 milionë euro, në mënyrë që të kompensohen humbjet e energjisë elektrike në Veri.

Ministrja e Ekonomisë në qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit kur është votuar ky rekomandim pati thënë se në fund të gjashtë muajve do të mundohen të kenë një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme për këtë problem.

Po ashtu, atë kohë është thënë se këto mjete janë të domosdoshme që Kosova të mos e rrezikoj anëtarësimin e saj në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS) pasi që nga viti 2017 përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar KOSTT.

Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit 2020, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në atë pjesë të Kosovës. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera