Lajme

Kosovarja e varur nga bixhozi ia merr 300 mijë franga 80-vjeçarit në Zvicër

Autori: Gazeta inFokus 11:48 | 31 May 2021

Një grua, që tani është në moshën 35-vjeçare, e cila është përgjigjur për mashtrim para Gjykatës Penale të Lucernit, ka përfituar nga zemërmirësia e një të moshuari

Ajo ka marrë nga ai gjithsej 278.800 franga dhe i ka shpenzuar ato në kazino, në vend që t`i përdorte për qëllimet për të cilat i kishte marrë.

Prokurori kërkon një dënim me tre vjet burg për të akuzuarën, nga e cila ajo duhet të vuajë një vit burg efektiv, shkruan Aargauer Zeitung, transmeton albinfo.ch.

-Advertisement-

Aktakuza, e ngarkon gruan për mashtrim përmasash masive.

Ajo ishte takuar me viktimën në vitin 2013 në funksionin e saj si shitëse përmes telefonit (call Center) dhe më pas e kishte vizituar disa herë. Edhe atëherë, sipas deklaratës së tij, i moshuari i kishte dhënë asaj 36,000 franga. Ajo i kishte premtuar atij seks në këmbim, por procedimet penale pastaj ishin ndërprerë pasi nuk mund të provohej mashtrimi.

Ndërsa pretendimet që tani janë duke u proceduar në gjyq kanë të bëjnë me vitet 2016 dhe 2017, kur e akuzuara sërish ishte paraqitur tek burri në fjalë, në një komunë rurale në Lucern dhe i kishte kërkuar vazhdimisht para, transmeton albinfo.ch. Paratë ishin, sipas saj për të paguar qiranë, borxhet e sigurimit, rregullimin e dhëmbëve, për makinë ose për dy fëmijët e saj.

Ajo bënte sikur ndodhej në një emergjencë dhe i premtonte atij fitimin nga një shitje e pronës në Kosovë.

Në këtë mënyrë, sasia e parave të përfituara kishte arritur në 278 mijë franga.

Sipas prokurorit, kjo përfituese e ndihmave sociale ka hedhur në bixhoz, respektivisht në kazino, të paktën 200,000 franga të parave të marra nga plaku.

Ajo, sipas prokurorit, e kishte shfrytëzuar me qëllim të keq mirësinë e viktimës së saj.

E akuzuara nuk e mohon që ka marrë paratë nga 80 vjeçari, transmeton albinfo.ch. Por ajo mohon të ketë mashtruar atë për qëllimin e marrjes së parave dhe për aftësinë për të shlyer borxhin ndaj tij.

Burri i mashtruar thotë para gjyqit se ai nuk e ka ditur asnjëherë se ajo kishte varësi nga bixhozi ndërsa ajo thotë se i kishte treguar atij për varësinë.

Gruaja ka përfituar nga mosha, natyra e mirë dhe dëshira e burrit për shoqëri fizike, ka thënë tutje prokurori. Ajo e dinte që ai nuk ishte në gjendje të kuptonte se ajo po e gënjente. Veprimet e saj duhet të përshkruhen si jashtëzakonisht egoiste dhe të pamëshirshme. Prandaj, prokurori publik kërkon një dënim me tre vjet burg për të akuzuarën, prej të cilëve, një vit burg efektiv.

Ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar pafajësinë për klienten e vet, përcjell albinfo.ch. Burri duhet ta ketë ditur që gruaja nuk ishte solvente (e aftë për shlyerjen e borxhit), se ajo shkonte në kazino, ishte e varur nga lojërat e fatit dhe i duheshin paratë për të paguar borxhet e bixhozit, ka thënë ai.

Ishte e padiskutueshme që paratë po derdheshin, por shuma e saktë është e paqartë, ka thënë mbrojtësi. Është e qartë se klientja e tij mund të ketë marrë 180,000 ose 200,000 franga, por në asnjë mënyrë 287,800 franga.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera