Kosovarët marrin kredi edhe për harxhime ditore
Autori: Gazeta inFokus 08:03 | 07 June 2022
Mihrije Gashi ka marrë tre mijë euro kredi për ta ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të përditshme.
Mihrija, në të 50-tat e saj, jeton me bashkëshortin, tre fëmijët dhe vjehrrit në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.
Ajo punon në një dyqan rrobash, ku paguhet 300 euro në muaj – ngjashëm sikurse edhe bashkëshorti i saj, i cili punon si elektricist në një biznes privat.
Kredinë thotë se e ka marrë në fillim të këtij viti dhe, për dy vjet rresht, do t’i paguajë bankës një këst mujor prej 130 eurosh, me normë interesi rreth 6 për qind.
Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, Mihrija thotë se ndryshe nuk ka mundur t’ia dalë.
“Kredinë e kam marrë që të kem para në shtëpi, për nevoja të shtëpisë, për barna… Vjehrrit janë të sëmurë dhe duhet të kem para të gatshme në shtëpi”, thotë Mihrija për Radion Evropa e Lirë.
“Jemi duke mbijetuar me këto rroga. Edhe pse po mundohemi të kursejmë çdo ditë, po marrim para [edhe] nga kredia”, thotë ajo.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve janë rritur për 11.2 për qind në muajin prill, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja ka filluar gradualisht, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, ndërsa hov i ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur në fund të shkurtit. Të dyja këto vende janë eksportuese të mëdha të drithërave, andaj lufta mes tyre ka lëkundur tregjet.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës konfirmojnë se në sektorin bankar ka rritje të kredive familjare.
Në dhjetor të vitit të kaluar, vlera e përgjithshme e kredive në dhjetë bankat komerciale në Kosovë ka arritur në mbi 3.75 miliardë euro.
Prej tyre, mbi 1.4 miliard euro kanë qenë kredi për ekonomi familjare, që kanë për qëllim konsumin.
Sipas të dhënave të BQK-së, shuma e kredive për konsum është rritur për 45 për qind në vitin 2021. Në vitin 2020, vlera e kredive për konsum ka qenë rreth 1.2 miliard euro, ndërsa në vitin 2019 kjo shumë ka qenë 1.1 miliard euro.
Nga BQK-ja thonë se kreditë për qëllime konsumi janë rritur për 19 për qind edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, por nuk komentojnë se cilat mund të jenë arsyet e këtij trendi.
Megjithatë, në Anketën e Kreditimit Bankar, të publikuar nga BQK-ja në muajin mars, thuhet se nevoja për financim të konsumit dhe rritja e besueshmërisë së konsumatorëve ndaj bankave janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kredive konsumuese.
Bektashi: Rënie e standardit jetësor
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se qytetarët marrin borxhe në institucionet financiare, për shkak të rënies së standardit të tyre jetësor.
Sipas tij, rritja e vlerës së kredive për qëllime të konsumit është “fenomen shqetësues”.
“Këta njerëz, në të ardhmen, duhet t’i ulin blerjet e tyre, me qëllim që t’i paguajnë këstet mujore të kredive që kanë marrë tash”, thotë Bektashi.
Mihrija konfirmon se familja e saj ka filluar t’i reduktojë shpenzimet, për shkak të kthimit të këstit të kredisë.
“Nuk po i blejmë më disa gjëra që nuk janë të domosdoshme… më pak lëngje, më pak ëmbëlsira… As ne dhe as fëmijët nuk dalin shpesh në lokale. Edhe daljet gjatë vikendeve i kemi eliminuar”, thotë Mihrija.
Edon Thaçi, punonjës në sektorin privat në Kosovë, rrëfen situatë të ngjashme. Ai thotë se, tash e dy vjet, paguan një kredi që ka marrë për renovimin e shtëpisë.
“Kthimi i kredisë është bërë problem. Çmimet janë rritur, vlera e kredisë dhe paga kanë mbetur të njëjta”, thotë Edoni.
Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.
Në sektorin privat, paga mesatare është rreth 380 euro, ndërsa në sektorin publik rreth 620 euro.
Rritje çmimesh, ndërkaq, kanë pësuar gati të gjitha produktet: nga buka deri te rryma.
Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm në Kosovë kanë kërkuar disa herë rritje pagash.
Qeveria e Kosovës, në muajin prill, ka miratuar projektligjin për rritjen e pagës minimale nga 130-170 euro, sa është aktualisht, në 250 euro neto.
Ka qenë e paraparë që ky projektligj të dalë në votim në Kuvendin e Kosovës më 6 qershor, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit.
Në prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për kategori të ndryshme të shoqërisë, për t’i ndihmuar, siç është thënë, të përballojnë situatën e krijuar nga çmimet në rritje.
Megjithatë, ekspertë të ekonomisë e kanë interpretuar këtë si ndihmë afatshkurtër dhe jo si zgjidhje të përhershme.
Profesori Bektashi thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes me shpenzimet, por edhe me kreditë, pasi, sipas tij, në vjeshtë mund të pritet valë tjetër e rritjes së çmimeve.
“Gjatë muajve të verës, krizën mund ta zbusin remitencat dhe ardhja e diasporës, por, në muajt shtator dhe tetor mund të paraqitet një krizë më e thellë, për shkak të zvogëlimit të sasisë së parasë së gatshme në qarkullim”, thotë ai.
Remitencat, apo dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë.
Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliard eurove – shumë kjo rekorde për Kosovën.
Banka Botërore ka paralajmëruar, po ashtu, vazhdim të rritjes së çmimeve, nëse lufta në Ukrainë vazhdon edhe për kohë të gjatë. /REL
Të tjera
-
Analisti amerikan Daniel Serwer tregon arsyet për të cilat Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në KiE
Serbia është aktualisht e angazhuar në një fushatë të egër për të bllokuar an...
-
Von Cramon optimiste për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por tregon çka kërkojnë disa shtete
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është opti...
-
Votimi për largimin e kryetarëve në veri, KQZ mban mbledhje në ora 14:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhje, me fillim nga ora 14...
-
Shefi i CIA-s: Ukraina mund të humbë pa ndihmën e SHBA
Shefi i CIA-s paralajmëroi se Ukraina mund ta humbasë luftën pa ndihmën e SHB...
-
Bilall Kasami: Një telefonatë se Serbia po bën manovra në kufi me Kosovën, ia pamundësoi Kurtit ardhjen në Berlin
Përfaqësues së koalicionit VLEN që po garon në zgjedhjet e Maqedonisë së Veri...
-
O’Brien sot në Beograd, do të takohet me udhëheqësit e Serbisë
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien,...
-
Valon Murati kritikon Kurtin: Nuk është kohë e mburrjeve
Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim ka drejtuar kritika në drejtim të kryemi...
-
Mbesa e kosovarit të burgosur në Serbi: Nuk e dimë si është trajtuar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestim...
-
Beogradi i cakton 30 ditë paraburgim kosovarit të arrestuar para dy ditësh në kufi, MPJ thotë se i është keqësuar shëndeti
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestim...
-
Lajçak: Mandati im si ndërmjetës deri më 31 gusht – me lidershipin e ri të BE’së nis një fazë e re e procesit
Miroslav Lajçak së shpejti do ta lë postin e emisarit special të BE’së për Ba...
-
Vetëaksident tek Llesna në Prishtinë (PAMJE)
Një vetëaksident trafiku ka ndodhur para pak minutave tek Llesna në Prishtinë...
-
Vrąsja e intelektualëve të Mitrovicës 25 vjet më parë, Kurti: Serbia ua mohon familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të M...