Kulturë

Kosova vitin tjetër mund të bëhet pjesë e Eurovisionit: Drejtori i RTK-së jep lajm të madh

Autori: Gazeta inFokus 15:27 | 16 May 2022

Mes vendeve pjesëmarrëse, edhe këtë vit në garën e këngës në Eurovizion mungonte Kosova. Marrë parasysh zhvillimin e hovshëm në industrinë e muzikës në vendin tonë, nuk do shumë mend të thuhet se Kosova – shteti më i ri në Evropë – do të mund të kishte edhe paraqitje dinjitoze.

Përveç kësaj, ndoshta do t’i kishim edhe nja 12 pikë të sigurta prej Shqipërisë. Por, kemi një lajm të madh për ju: Kosova mund të bëhet pjesë e Eurovizionit nga viti i ardhshëm nëse pranohet aplikimi që do ta bëjë RTK-ja.

Fillimisht, të merremi me gjithë problematikën e çështjes në fjalë në mënyrë që të tregojmë saktësisht pse Kosova nuk është pjesë e Eurovizionit.

-Advertisement-

“Problemi i Kosovës me mospjesmarrjen në Eurovizion është i kahmotshëm. Krejt kjo për shkak se Radio Televizioni i Kosovës nuk është pjesë e EBU (Unioni i Transmetuesve Evropian)”.

Kështu u deklarua Drejtori i Departamentit për Arte Skenike, Sami Pira, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), kur e kontaktova për të marrë vesh diçka më shumë rreth mungesës së paqartë të Kosovës në kontestin më prestigjioz të këngës në Evropë.

Eurovizioni është një event i përmasave evropiane e globale, dhe ka pushtetin që të ndreq apo të prish reputacionin e një shteti. Kosova do të mund të përfitonte masivisht nga një gjë e tillë.

Pse RTK ‘nuk është’ pjesë e EBU?

Epo, duket se Radio Televizioni i Kosovës paska një rol interesant brenda EBU-së, i cili ia pamundëson asaj veprimtarinë normale brenda kësaj organizate, si anëtaret e tjera.

“RTK-ja është anëtare vëzhguese e EBU-së dhe në këtë cilësi nuk mundet me marrë pjesë në Eurovizion”, tha Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës.

Për një dëgjues e lexues të rëndomtë është çudi në vete si vendet, ta zëmë, si Australia që nuk janë fare pjesë e Kontinetit të Evropës gëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në Eurovizion, ndërsa Kosovës – kokë e këmbë brenda Evropës – i mohohet një e drejtë e tillë.

Për ta bërë edhe më frustruese tërë situatën për një kosovar të rëndomtë, Australia ishte ftuar në vitin 2015 të merrte pjesë në këtë kontest dhe i ishte garantuar një vend permanent. Sikur kjo të mos mjaftonte, këtij vendi iu dhurua madje kualifikimi direkt në finale për ta festuar edicionin e 60 të garës.

EBU ka konfirmuar pjesëmarrjen e Australisë në garë deri të paktën në vitin 2023, duke marrë si bazë të fortë popullaritetin e kësaj gare në këtë vend.

Çka po e pengon Kosovën të anëtarësohet në EBU?

Gjithçka ndërlidhet me një tjetër mungesë të Kosovës në një organizatë kredibile mediale globale.

Ka të bëjë me Unionin Telekomunikues Ndërkombëtar (ITU), pjesë e të cilit duhet të jetë një shtet para se të gëzojë të drejtën të sigurojë një vend në EBU, por krejt kjo – sipas Ahmetxhekajt – derivon edhe nga antarësimi në OKB.

Pjesë e ITU-së janë plot 193 shtete, përfshirë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Madje, edhe Sudani Jugor, i cili arriti ta shpallë Pavarësinë më 11 korrik të vitit 2011, ka siguruar antarësimin në këtë organizatë që nga 14 korriku i vitit 2011 – domethënë, veç tre ditë pasi u bë shtet.

Bjellorusia dhe Rusia pengesat kryesore që nuk do të jenë më

Vendimet e fundit të bordit ekzekutiv të EBU-së për të pezulluar Bjellorusinë dhe Rusinë nga antarësimi në këtë institucion, janë shenja pozitive për Kosovën, gjithnjë sipas Ahmetxhekajt.

“Ka qenë problem politik sepse anëtarësimi në OKB dhe ITU s’ka qenë i mundur deri tash”, thotë drejtori i RTK-së për Nacionalen.

“Mirëpo, lëvizjet sa i përket kodit ndërkombëtar të Kosovës dhe pas përjashtimit të Bjellorusisë dhe Rusisë, duhet të shikohen mundësitë që të gjendet një lloj interpretimi tjetër që Kosova të anëtarësohet në EBU. Por këto janë projekte që duhet të punohet shumë në to dhe të shohim më vonë a do t’ia dalim”.

Bjellorusia u pezullua për shkak të problemeve me lirinë e shtypit, ndërsa përjashtimi i Rusisë ishte i paevitueshëm pas pushtimit në Ukrainë.

Vitin tjetër Kosova pjesë e Eurovizionit?

Gjasat që kjo të ndodhë duken reale nëse bazohemi në atë që thotë Ahmetxhekaj.

“Është plan i përbashkët i menaxhmentit aktual të RTK-së që në periudhën në vazhdim, ndoshta edhe në fund të këtij viti, apo vitin tjetër, të aplikojmë zyrtarisht për anëtarësim në EBU. Tash gjasat mund të jenë më të mëdha për shkak të lëvizjeve të fundit sa i përket përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë.”

“Në momentin që Kosova anëtarësohet në EBU, do të jetë pjesë e Eurovizionit”.

Ngazëllimi nuk ka nevojë për hamendësim nëse ndodhë që Kosova më në fund të marrë pjesë ne Eurovizion, derisa një event i tillë sigurisht do të shërbente si infuzion për ngritjen sado pak të skenës kulturore kosovare ndërkombëtarisht./nacionale.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera