Opinione

Kosova vazhdon të jetë më së keqi në rajon me resurse në administratë publike

Autori: Gazeta inFokus 10:39 | 17 December 2021

Në Raportin e Monitorimit për Kosovën të SIGMA/OECD të publikuar në nëntor 2021 shihet që Kosova vazhdon të jetë më së keqi në rajon me kapacitete institucionale, me theks të veçantë në burime njerëzore të administratës publike.

Shkruan: Agron HOTI

E kam thënë dhe po e përsëris, Kosova ka shënuar shumë progres në shumë dimensione për 22 vite çlirim e 13 vite shtetësi, por ka shënuar prapakthim të frikshëm në burime njerëzore. Dikush mund të thotë se si paska pasur mundësi të ketë progres me kësilloj burimesh njerëzore joadekuate. Përgjigjja është se vakumin e madh të burimeve njerëzore e kanë mbuluar projektet e shumta të donatorëve të jashtëm që nga paslufta e deri me sot.

-Advertisement-

Sa për ilustrim po ju marr Ministrinë e Drejtësisë: Ashtu siç kjo Ministri ka pasur vazhdimisht projekte të donatorëve të jashtëm, njëjtë vazhdon të ketë edhe sot. Vetëm sot BE e ka një projekt në vlerë prej 7 milionë euro për të ngritur kapacitetet e Ministrisë së Drejtësisë.

Pra, Ministrja aktuale e Drejtësisë, ashtu sikurse të gjithë Ministrat e kaluar të Drejtësisë, asnjëherë nuk e kanë ndjerë peshën për të pasur resurse profesionale vendore, sepse këtë vakum e kanë mbuluar projektet e shumta të donatorëve të jashtëm. Kur një dokument apo ligj miratohet në Qeveri e Kuvend, qytetarët nuk e dinë që i tëri është përgatitur nga projektet e donatorëve të jashtëm.

Mbuluarje vakumi do të thotë kur projektet e donatorëve të jashtëm i përgatisin të gjitha dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë, që nga planet strategjike, ligjet dhe aktet nënligjore, analiza të ndryshme krahasimore, udhëzues të ndryshëm, rishikime të ndryshme, me një fjalë të gjitha dokumentet. Vetë Strategjia për Zhvillimin e Sundimit të Ligjit që po drejtohet nga Ministria e Drejtësisë është bërë nga donatorët e jashtëm.

Pse të mërzitet një Ministër/re për resurse tona profesionale, kur këtë punë vazhdojnë ta kryejnë donatorët e jashtëm. Kosova që nga 1999 vazhdon të merr mes 160-200 milionë donacione të jashtme në vit. E njëjta këngë është në të gjitha ministritë pa përjashtim.

Ndërkohë ata shqiptarë profesionistë që kanë qenë nëpër institucione vazhdimisht janë dekurajuar, penguar, heshtur e shpesh shtantazhuar dhe pse jo larguar nga puna nga të gjitha pushtetet, përfshirë edhe këtë të sotit. Profesionistët, edhe pse të pakët që i kemi, më shumë janë parë si pengesë sesa si pasuri kombëtare. Edhe sot po vazhdohet me të njëjtat ritme të frikshme. Prandaj, kemi ikje truri gjithandej botës. Pothuaj të njëjtën logjikë e ka edhe sektori privat.

Me të njëjtën logjikë amaterizmi shkohet në dialog me Serbinë. Në vend që të përgatitet një ekipë gjithëpërfshirëse vendore me ekspertë të fushave të ndryshme, pavarësisht sa e madhe dhe e kushtueshme që mund të jetë ajo sepse po flasim për interes kombëtar, ne kemi shkuar dhe vazhdojmë të shkojmë në Bruksel me duar në xhepa. Asgjë nuk e ilustron më mirë qasjen tonë ndaj resurseve profesionale sesa dialogu me Serbi.

Ashtu siç nuk përfillen profesionistët nëpër institucione, njëjtë ndodhë me ta edhe për dialog me Serbi. Dhe kur Serbia pastaj ta nxë bishtin me derë, paaftësinë dhe joprofesionalizmin tonë mundohemi ta fshehim përmes sulmeve të ulëta personale siç jemi mësuar t’i shohim nëpër debate publike, paraqitje mediale, kuvend dhe çdokund.

Faktin që vakumin e resurseve profesionale na e mbulojnë projektet e shumta të donatorëve të jashtëm nuk e dinë as mediat, as shoqëria civile e as qytetarët e Kosovës. Prandaj, Ministrat kanë qenë dhe janë vazhdimisht komod kur punësojnë resurse jocilësore. Është për të qarë se si edhe të pushtuar gjatë sistemit jugosllav kemi arritur të nxjerrim resurse bindshëm më profesionale sesa sot kur jemi të çliruar.

Sa për ilustrim krahasoni resurset profesionale që kishim në art e muzikë me ato që kemi sot. Prandaj, ashtu siç nuk ka pasur vullnet për resurse profesionale, njëjtë nuk ka as sot, e me gjasë as nesër. Një ditë kur do të ndalen donacionet e jashtme Kosova ka për të mbetur lakuriq pa resurse të duhura institucionale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera