Lajme

Kosova shpenzon më së shumti në Ballkan për arsim, por ka sistem më të dobët arsimor

Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 21 November 2019

Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Foundation” ka publikuar së fundi studimin “Politika e Zgjerimit dhe Ndryshimit Social”, ku sipas statistikave, Kosova prinë mes shteteve të Ballkanit për investimet në arsim, shkruan Gazeta inFokus.

Statistikat e nxjerra nga fondacioni përfshijnë 3 vitet e fundit (2017-2019), përfshirë edhe parashikimet për dy vitet e ardhshme, (2020-2021), ku parashihet të rritet niveli i shpenzimeve, duke i paraprirë shteteve tjera ballkanike.

Megjithatë, këto investime nuk del të kenë dhënë efekt në cilësinë e arsimit.

Këtë çështje e ka ngritur edhe Demush Shasha, nga Instituti “Epik”, duke i krahasuar shpenzimet e larta në këtë drejtim me sistemin dhe cilësinë e ulët arsimore në vend.

Friedrich-Ebert-Stiftung ka publikuar studimin e fundit “Politika e Zgjerimit dhe Ndryshimi Social”. Pjesa ndoshta më e rëndësishme për Kosovën është fakti që Kosova shpenzon në fushën e arsimit më së shumti nga vende të Ballkanit, por ka sistem më të dobët arsimor. Me fjalë të tjera, nuk ka të bëjë me mungesën e parasë, por përdorimin e tyre”, është shprehur Shasha.

Ai ka treguar se Kosova qëndron shumë larg në raport me vendet e Bashkimit Evropian, sa i përket kualitetit të arsimit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosovës bashkë vendet e Ballkanit u duhen hiq më pak se 29 vite që të arrij nivelin mesatar të kualitetit të arsimit në BE. /Gazeta inFokus/

 

Të tjera