Sport

Kosova ‘problematike’, kualifikimi i dardanëve i nxjerrë punë shtesë UEFA-S

Autori: Gazeta inFokus 18:48 | 20 November 2019

Kualifikimi i Kombëtares së Kosovës në EURO 2020, do të ishte një sfidë në vete për UEFA-n, në tërheqjen e shortit për fazën e grupeve.

Shtëpisë së madhe të futbollit sikur të mos i mjaftonin ndërlikimet që ka në organizimin e EURO 2020 në 12 vende të Evropës, por i duhet t’i jap zgjidhje edhe çështjeve politike, që për fatin e keq gjenden edhe brenda sportit.

Kombëtarja e Kosovës ka një mundësi të artë të shkruajë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian përmes ‘Play Off’ të Ligës së Kombeve, ku duhet që në gjysmëfinalen e 26 marsit të mposht fillimisht Maqedoninë e Veriut, dhe më 31 mars, në finalen e madhe, të triumfojë kundër fituesit të sfidës Gjeorgji – Bjellorusi.

-Advertisement-

Dhe një kualifikim i mundshëm i Kosovës, mund ta detyrojë UEFA-n të bëjë dy herë tërheqjen e shortit për fazën e grupeve të EURO 2020, fillimisht me 30 nëntor, dhe një përsëritje të ndodh më 1 prill të vitit 2020.

Deri në këtë fazë, gjithçka ka shkuar mirë në kualifikimet për EURO 2020. Problemet politike për UEFA-n lindin me disa kombëtare që kanë prerë biletën për Kampionatin Evropian, dhe disa tjera që do ta kërkojnë përmes Ligës së Kombeve, e të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Spanja, Rusia, Azerbajxhani dhe Rumania janë në mesin e 12 vendeve nikoqire të EURO 2020 që nuk kanë njohur Kosovën. Dy të parët edhe kanë siguruar pjesëmarrjen atje.

Spanjës dhe Rusisë, nga vendet që nuk kanë njohur Kosovën dhe që kanë siguruar kualifikimin në EURO 2020, iu bashkohet edhe Ukraina.

Gjërat komplikohen edhe më shumë për UEFA-n, kur dihet se përmes Ligës së Kombeve, një vend në EURO 2020 mund ta sigurojnë edhe disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, si Izraeli, Rumania, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Vendet/qytetet pritëse të EURO 2020:

Grupi A: Itali (Olimpico, Romë), Azerbajxhani (Stadiumi Olimpik, Baku)

Grupi B: Rusi (Stadiumi i St Petersburgh), Danimarkë (Parken, Kopenhagë)

Grupi C: Holandë (Johan Cruijff Arena, Amsterdam), Rumani (Arena Kombëtare, Bukuresht).

Grupi D: Angli (Wembley, Londër), Skoci (Hampden Park, Glasgow)

Grupi E: Spanjë (San Memes, Bilbao), Irland (Dublin Arena)

Grupi F: Gjermani (Allianz Arena, Munchen, Ungarn (Ferenc Pusckas Stadium, Budapest)

Kombëtaret e kualifikuara në EURO 2020, dhe që janë organizatore të këtij eventi, do jenë pjesë e grupeve që u mundësojnë t’i zhvillojnë ndeshjet para tifozëve të tyre.

UEFA pas pranimit të Kosovës në vitin 2016 kishte marrë vendim që ndalonte përballjet e ‘Dardanëve’ në fazën e grupeve me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Në tetor të këtij viti, UEFA kishte ndaluar edhe përballjet Kosovë – Rusi, që tregon qartë se ‘Dardanët’ nuk mund të jenë në grupin B, ku janë nikoqirët rusë, së paku jo në fazën e grupeve.

UEFA-s do t’i duhet t’i shmangë Kosovës edhe grupin E, ku është Spanja si një nga organizatorët e evropianit të vitit të ardhshëm, e po ashtu edhe grupin C, ku parashihet që ndeshje të zhvillohen edhe në qytetin e Bukureshtit në Rumani, raporton lajmi.net.

Çështja e Azerbajxhanit nuk do të paraqes problem për UEFA-n, pasi Kosova tashmë ka zhvilluar ndeshje në Baku, në Ligën e Kombeve, ku kishte barazuar 0-0 me vendasit.

Me disa nga vendet organizatore që nuk e njohin Kosovën, e po ashtu edhe me disa shtete tjera pjesëmarrëse në të njëjtën pozitë, lë të kuptohet se UEFA duhet të ‘djersitë’ shumë për t’i gjetur zgjidhje ‘Dardanëve’.

Një rregullore e UEFA-s, u lejon shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në stadiume neutrale, gjë e cila ka gjetur zgjidhje në kualifikimet për garat ndërkombëtare.

Por, Kampionati Evropian është një organizim krejt tjetër, dhe se UEFA-s i duhen vendime të rëndësishme, për të nxjerrë edhe një herë triumfues sportin përballë politikës.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera