Lajme

Kosova në vitin 2021: Asnjë njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Autori: Gazeta inFokus 11:36 | 02 January 2022

Kosova edhe në vitin 2021 nuk ka shënuar progres në politikën e jashtme. As në vitin që iku nuk kishte njohje të reja dhe anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Fajtorë vlerësohen moratoriumi, pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, opozita dhe shoqëria civile kritikojnë institucionet për stagnim dhe për mungesë të konsolidimit të politikës së jashtme.

Nga ana tjetër, në ekzekutiv thonë se nën udhëheqjen e tyre politika e jashtme ka qenë prioritet dhe asnjëherë më shumë s’ka pasur vizita bilaterale.

-Advertisement-

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi thotë për KosovaPress se politika e jashtme e Kosovës ka qenë në periudhë pezullimi, duke aluduar në mospunën e ministres Gërvalla.

Sipas saj, Kosova në sferën ndërkombëtare nuk ka pasur përfaqësim dinjitoz dhe dinamikë të madhe.

“Ne kemi pas një stagnim dhe suspendim sa i përket fushës së politikës së jashtme. Ne nuk kemi parë asnjë bashkëpunim dhe transparencë të MPJD-së në linjë me komisionin parlamentar që do të duhej të vinte dhe raportonte të paktën çdo tre muaj. Në sferën ndërkombëtare kemi pasur një përfaqësim jodinjitoz, një përfaqësim që ne si qytetarë dhe Republikë nuk e kemi merituar. Nuk ka pasur një përfaqësim të duhur të Republikës sonë, me këtë ministrja (Donika Gërvalla) që më shpesh është dukur sikur të ishte një zëdhënëse e Ballkanit, se e Republikës së Kosovës. Mendoj se do të duhej të kishte një dinamikë shumë më të madhe sikur brenda, por edhe jashtë” , thotë ajo.

Kritik shprehet edhe monitoruesi i MPJD-së dhe njohësi i politikave të jashtme, Emir Abrashi. Ai thotë se politika e jashtme nën Qeverinë Kurti ka qenë e çakorduar totalisht.

Abrashi përmend shkarkimin e ambasadorëve, që sipas tij, e kanë lënë Kosovën pa adresim në ballafaqimin e problematikave në arenën ndërkombëtare dhe lobimin për njohjet e reja.

“Republika e Kosovës në këtë periudhë që nga marrja e mandatit të Qeverisë Kurti nuk ka pasur një politikë të jashtme të konsoliduar, ka pasur një politikë të jashtme të çakorduar totalisht. Kemi pasur mungesa të shefave të misioneve në shumicën dërrmuese të misioneve diplomatike të Kosovës, kemi pasur një ministri e cila nuk ka qenë në krye të detyrës në ballafaqimin me problemet të cilat Kosova i hasur në arenën ndërkombëtare. Në anën tjetër ka pasur shumë gabime në Twitter, kur e dimë se ‘Twitter-diplomacia’ është një realitet në marrëdhëniet ndërkombëtare, aq më tepër kur kjo ndodh në një periudhë kur kemi qenë në pandemi dhe takimet sy më sy kanë qenë të rralluara. Njohjet janë të kushtëzuara me procesin e dialogut, për sa kohë ne nuk arrijmë të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë dhe s’kemi njohje të ndërsjellë, besoj se njohjet e reja do të jenë problematike dhe do të jetë një mrekulli që të marrim njohje të reja ndërkohë”, deklaron Abrashi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se politika e jashtme e Kosovës kurrë s’ka qenë më me prioritet.

“Nuk mbajë mend që ka pasur një numër më të madh të vizitave të përfaqësuesve politikë dhe diplomatëve të rajonit dhe perëndimit në Kosovë. Sikurse ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm të vizitave të nivelit të lartë edhe nga kryeministri Kurti, por të njëjtën kohë edhe nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme, zonja Gërvalla, sikur zëvendëskryeministri Bislimi. Në njërën anë kjo flet për një interes të shtuar nga shtetet e rajonit dhe perëndimit për një bashkëpunim edhe më të mirë me Republikën e Kosovës. Por të njëjtën kohë flet edhe për prioritetizimin që Qeveria ia ka bërë politikës së jashtme, duke qenë më aktiv në vizita, por në të njëjtën kohë duke përfunduar një proces të rëndësishëm sikurse ai i emërimit të ambasadorëve në shtetet kryesore për të cilat vazhdon të ketë mungesë të një kritike thelbësore për këtë proces. Kjo flet për një mbarëvajtje profesionale dhe një proces tejet të mirë të organizuar dhe prioritetizuar nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme”, thekson ai.

Në muajin e fundit të vitit 2021 u përmend mundësia për një njohje të re nga ana e ish-ministrit të Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete, edhe pse ky i fundit fajësoi kryeministrin Kurti për mosinteresim për këtë çështje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera