Opinione

Kosova mes përballjes faktorizuese dhe zmbrapsjes izoluese (3)

Autori: Gazeta inFokus 12:01 | 11 June 2022

Sa herë i kemi dalë përballë Serbisë kemi fituar, sa herë i kemi heshtur apo i jemi zmbrapsur e kemi inkurajuar që edhe më shumë të na sulmojë.

Shkruan: Agron HOTI

I kemi dalë përballë në luftë, në Rambuje, në Vjenë, në GJND, në Bruksel, në Nju Jork, në Uashington dhe në pafund forume e iniciativa rajonale e ndërkombëtare dhe në të gjitha këto raste kemi fituar dhe njëkohësisht jemi faktorizuar. Asgjë s’do më shumë Serbia sesa zmbrapsjen tonë dhe izolimin, zaten ky edhe është qëllimi i saj. Edhe pse në Proces të Berlinit dhe në Proces të Stabilizim Asociimit dhe në të gjitha iniciativat e shumta rajonale përfaqësohemi me fusnotë, është prezenca fizike e jona ajo që luan mendsh Serbinë dhe kjo është dëshmuar më së miri me reagimet e saj shpesh të pakontrolluara plot mllef.

-Advertisement-

Kosova duhet të faktorizohet

Pa nënshkrimin e Kosovës s’ka Proces të Berlinit, Ballkan të Hapur e as Integrim të rajonit në BE. E Kosova, për ta nxjerrë Serbinë e Rusinë prej loje, duhet shkuar nëpër takime të çdo iniciative rajonale për t’iu bërë halë në sy Serbisë duke ja numëruar Vuçiçit të gjitha kushtet e Kosovës në tavolinë (siç po thotë Kosova që po ja numëron Serbisë në Bruksel), e jo duke u ikur takimeve rajonale, sepse mospjesëmarrja e Kosovës në Ballkan të Hapur çon ujë te Serbia e Rusia që synim strategjik e kanë izolimin rajonal dhe defaktorizimin e Kosovës.

Të jemi të sigurtë, që në momentin e parë që Kosova do t’i thoshte po pjesëmarrjes nëpër takimet e Ballkanit të Hapur, kuptohet pa lëshuar pe asgjë para Serbisë sa i përket statusit të Kosovës, do të jetë Serbia e para ajo që do të mundohet ta braktisë e para Ballkanim e Hapur, ose nëse jo Serbia do të ishte Rusia ajo që do të mundohej që me çdo kusht ta tërhiqte Serbinë mbrapa.

Gjithsesi, nuk duhet harruar se Kosova me Serbinë është këmbëkryq në CEFTA dhe në pafund iniciativa rajonale ku Ministra tanë shkojnë edhe në Beograd nëpër takime, apo ku drejtuesit tanë më të lartë shtetërorë takohen rregullisht me ata serbë nëpër forume të ndryshme rajonale dhe evropiane. Fundja, si e kundërshtuaka Kosova Ballkanin e Hapur kur importet e Serbisë në Kosovë në vitin 2021 kishin tejkaluar importet e Shqipërisë? Përderisa Kosova heziton të bashkëpunojë me Shqipërinë për Ballkanin e Hapur, në anën tjetër i lulëzon importi i mallrave serbe në Kosovë. Cila është logjika thellimit të hendekut me Shqipëri kurse e rrëshqitjes ekonomikisht nën Serbi?

Prandaj, vetëm duke u përballur me Serbinë në dialog si e barabartë mes të barabartëve, në çdo forum, iniciativë e mekanizëm rajonal e ndërkombëtar, Kosova ia del të faktorizohet dhe del nga izolimi, në të kundërtën izolohet e defaktorizohet saktësisht siç projekton që sa kohë Rusia dhe Serbia.

Ndërkohë që SHBA e mbështet Ballkanin e Hapur dhe çdo iniciativë tjetër që integron rajonin së paku në aspektin ekonomik, për t’ia relaksuar më pas rrugën bashkëpunimit politik. E kjo loja mes patriotësh e tradhëtarësh mes nesh është po ashtu projeksion rus e serb, sepse Kosova u duhet atyre (Serbisë e Rusisë) vetëm e përçarë dhe e thyer nga brenda, ashtu siç u duhen të gjithë shqiptarët e përçarë dhe të thyer gjithandej trojeve shqiptare.

Nuk qëndron as argumenti se Serbia në një Ballkan të Hapur pa kufi do të na gllabërojë ekonomikisht. Sepse ashtu si në Ballkan të Hapur edhe në çdo Zonë tjetër të Tregtisë së Lirë në glob gjithmonë ka një shtet më të fuqishëm se të tjerët por që ai shtet nuk i gllabëron anëtarët tjerë. Sigurisht që asnjë shqiptari nuk i pëlqen që Serbia të jetë shteti më i fortë ekonomikisht në Ballkan Perëndimor, por për fat të keq realiteti është i tillë.

Si duket kemi harruar që në të gjitha Zonat kryesore të Tregtisë së Lirë në glob gjithmonë ka një shtet më të fuqishëm brenda si p.sh.: BE ka Gjermaninë shtetin më të fuqishëm brenda saj; Zona e Tregtisë së Lirë USMCA (SHBA, Meksika, Kanada) ka SHBA-në shtetin më të fuqishëm, Zona e Tregtisë së Lirë MERCOSUR e Amerikës Jugore ka Brazilin shtetin më të fuqishëm, Zona e Tregtisë së Lirë ASEAN në Azi Juglindore ka Indonezinë shtetin më të fuqishëm e kështu me radhë. Edhe në CEFTA ku Kosova ulet bashkë me Serbinë dhe rajonin, Serbia është shteti më i fortë dhe këtë nuk mund ta ndryshojmë edhe pse do të kishim dashur, ndaj kjo nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunim ekonomik rajonal.

Fqinjët nuk i zgjedh, i ke aty. Serbinë nuk e kemi zgjedhur, por e kemi në fqinjësi. Ekonomitë e vogla sikur ato të Ballkanit Perëndimor nëse nuk hapen e kanë shumë të vështirë të prosperojnë. Fundja po ta kishte zgjedhur BE izolimin, luftërat në Evropë s’do të përfundonin kurrë, ndaj edhe Evropa nuk do ta kishte këtë mirëqenie që e ka sot.

Sigurisht që kjo s’do të thotë që Kosova të lëshojë pe para Serbisë, përkundrazi t’i dalë përballë në çdo iniciativë dhe jo të zmbrapset prej saj, sepse sa herë i kemi dalë përballë Serbisë kemi fituar, sa herë kemi heshtur apo jemi zmbrapsur prej saj e kemi inkurajuar edhe më shumë të na sulmojë. Po t’i ishte frikësuar Kosova epërsisë ushtarake dhe ekonomike të Serbisë s’do të futej kurrë në luftë kundër saj, por pikërisht kur Kosova pavarësisht çmimit i doli përballë Serbisë edhe me luftë, humbi kjo e fundit dhe Kosova u bë shtet. (Fund)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera