Kosova i merr seriozisht paralajmërimet e EUROPOL-it për kërcënime në Ballkan
Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 19 June 2017
Autoritetet në Kosovë thonë se i marrin me shumë seriozitet të gjitha paralajmërimet që vijnë nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë për rrezikun nga sulmet terroriste në Ballkanin Perëndimor.
Në bazë të një raporti të fundit të policisë evropiane – EUROPOL, thuhet se “konflikti në Siri ka pasur një jehonë të madhe në Ballkanin Perëndimor, përfshi Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë”.
Që nga kriza në Lindjen e Mesme, mbi 800 persona, të njohur ndryshe edhe si “luftëtarë të huaj”, thuhet se kanë udhëtuar nga Ballkani Perëndimor deri në Siri për t’iu bashkuar konfliktit të armatosur.
Raporti e vlerëson si sfidues edhe kthimin e luftëtarëve të huaj në vendet e origjinës, duke i parë ata si potencial rreziku për rajonin.
Zëvendësministri në largim i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se nuk bën përjashtim nga asnjë vend i rajonit dhe i botës dhe se nuk mund të ndihet komod përball një kërcënimi serioz global, të grupit të vetëquajtur Shteti Islamik.
“Karshi këtyre kërcënimeve dhe pretendimeve të tyre për sulme ne kemi marrë masat, jemi përgatitur në nivelin më të mirë të mundshëm dhe fatmirësisht kemi arritur të evitojmë disa raste që tanimë janë të njohura”.
“Në këtë kontekst, gatishmëria është rritur sidomos pas sinjalit të fundit nga EUROPOL-i që mund të jetë e rrezikuar edhe Kosova në mesin e shteteve të tjera”, tha Hoxha.
Megjithatë, Hoxha shton se nuk ka ndonjë indikator shumë serioz brenda infrastrukturës së mekanizmave të sigurisë që mund Kosova të ballafaqohet me një sulm të tillë.
Raporti i EUROPOL, ndër të tjera, ka vënë në pah se në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, “ideologjia radikale islamike ishte promovuar nga predikuesit radikalë ose udhëheqësit e disa grupeve salafiste, duke sfiduar dhe dominuar kultivimin e islamit të moderuar tradicional”.
Kur është në pyetje Kosova, ajo përfshihet në raport bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke i konsideruar si “pikat e nxehta për radikalizëm, rekrutim dhe aktivitete lehtësuese për luftëtarët e huaj me destinacion Sirinë”.
Ndërkohë, njohës të fushës së sigurisë në Kosovë thonë se mekanizmat e sigurisë në vend do të duhet t’i marrin seriozisht sinjalet e tilla që vinë nga organizatat ndërkombëtare të policisë.
Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë se ashtu si vendet tjera në botë, mund të jenë të rrezikuara nga sulmet terroriste.
“Kosova duhet t’i marr seriozisht informacionet që vinë nga EUROPOL-i apo ndonjë organizatë tjetër e kësaj natyre, duke pasur parasysh faktin që edhe Kosova edhe vendet e rajonit mund të jenë të rrezikuara apo të kërcënuara në mënyrë të njëjtë, por nuk besoj që Kosova është më e rrezikuar sesa vendet tjera të rajonit”.
“Ballkani Perëndimor mund të shihet si një nga zonat me më interes për organizatat terroriste dhe ato që interpretojnë në mënyrë manipulative religjionet”, thekson Ramadani.
Institucionet e Kosovës, shton Ramadani, duhet të vazhdojnë bashkëpunojnë me vendet e rajonit dhe me shtete tjera të botës, në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo synimi të akteve terroriste.
Institucionet e sigurisë dhe ato publike, sipas Ramadanit, për qytetarët e Kosovës do të duhej të qartësojnë nëse bëhet fjalë për kërcënime të përgjithshme apo kërcënime konkrete.
“Nëse kemi kërcënime të përgjithshme, atëherë institucionet duhet të japin udhëzimet për qytetarët se si të rrisin vëmendjen ose vigjilencën e tyre, ndërkaq nëse kemi të bëjmë me kërcënime konkrete, atëherë mekanizmat e sigurisë duhet të rrisin masat në secilin lokacion apo në çështje konkrete”, thekson Ramadani.
Ndërkohë në Policinë e Kosovës thonë se në vazhdimësi bëjnë vlerësime të rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe në këtë kuadër edhe vlerësimi për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi apo grupet terroriste, duke përfshirë edhe ekstremizmin e dhunshëm.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të jetë plotësisht imune ndaj kërcënimeve të paparashikueshme terroriste, megjithatë organet e sigurisë kanë arritur që të menaxhojnë dhe mbajnë nën kontroll element të cilët janë vlerësuar se janë potencialisht të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.
“Policia e Kosovës, duke u bazuar në normat juridike në vendin tonë si dhe sipas Strategjisë Nacionale Kundër Terrorizmit dhe planit të veprimit i cili buron nga kjo strategji, monitoron çdo aktivitet të personave fizik dhe juridik për të cilën siguron informata se mund të paraqet rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale, e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thotë Hoxha.
Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në zona të luftërave në Siri dhe Irak.
Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe rreth 140 të tjerë.
Thuhet se rreth 117 veta janë kthyer në Kosovë, dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Derisa, në raportet hulumtuese të organizatave joqeveritare në Kosovë, ishte theksuar se disa nga arsyet që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak ishin ligjëratat fetare jashtë kontrollit të institucioneve kompetente, niveli i ulët i arsimit, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...