Lajme

Kosova kërkon ndihmë nga rajoni për hetimet e sulmit në Banjskë

Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 15 November 2023

Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë tha se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, një grup terrorist sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre terroristë serbë.

-Advertisement-

Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Në përgjigjen e Prokurorisë së Bosnjës dërguar REL-it thuhet se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”.

“Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Por, përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës konfirmuan se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet e sulmit në Banjskë.

Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen.

Nga ky vend thonë se janë duke bërë hetime të ndara të sulmit.

Në një deklaratë në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Bosnjës tha, po ashtu, se nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha më 6 nëntor Boris Grubeshiq, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës.

Muajin e kaluar, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i këtij viti deri më 24 shtator.

Sipas Prokurorisë serbe, armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, nga ku i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, i hodhi poshtë akuzat nga Serbia, po ashtu.

Vetë Radoiçiq, përmes një letre publike më 29 shtator, pranoi se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.

Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.

Ai, po ashtu, nuk i pranoi veprat, me të cilat e ngarkoi Prokuroria e Beogradit.

Radoiçiq u lirua nga mbajtja në Serbi, por iu konfiskuan dokumentet.

Deri ku arritën hetimet?

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se po bën hetime intensive në lidhje me sulmin e 24 shtatorit.

Sipas burimeve të REL-it në polici, deri më tash janë identifikuar 38 persona që kanë qenë pjesë e grupit terrorist në Banjskë. Prej tyre, 31 kërkohen për t’u arrestuar.

Për personat që tashmë janë në paraburgim në Kosovë, e që janë disa, janë duke u ekzaminuar të gjitha provat, sipas burimeve.

Një zyrtar policor tha se “po hetohen provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”.

Në Prokurorinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut i thanë REL-it se, deri më tash, nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Kosova për ndihmë në hetime.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë që ndihma e tillë të jetë kërkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme deri te Ministria e Drejtësisë, por në Prokurori ende nuk ka diçka të tillë. Për sa i përket asaj se çfarë ndihme mund të ofrojmë, ne mund të ofrojmë ndihmë për persona konkretë nëse eventualisht kërkohet një gjë e tillë”, thanë nga Prokuroria në Shkup.

Sulmi në Banjskë nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja tha se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera