Sport

Kosova humbet nga Suedia

Autori: Gazeta inFokus 19:58 | 09 October 2021

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka pësuar humbje në udhëtim te Suedia me rezultat 3-0, në takimin e vlefshëm për kualifikimet e Kupës së Botës ‘Katar 2022’, shkruan Gazeta inFokus.

‘Dardanët’ nuk arritën t’i bënin ballë suedezëve, të cilët shkëlqyen para publikut të vet, duke e mposhtur lehtësisht kombëtaren tonë.

Në duelin e zhvilluar në stadiumin ‘Friends Arena’ në Stokholm, serinë e golave e hapi Emil Forsberg, i cili shënoi nga penalltia në minutën e 28’ për rezultatin 1-0.

Pjesa e parë përfundoi me shifrat 1-0, kurse 45 minutat e dytë Kosova i nisi më mirë, duke rrezikuar seriozisht portën e suedezëve, madje Vedat Muriqi arriti të shënonte gol në minutën e 57’, por goli i tij u anulua, pasi Milot Rashica ishte në pozitë jashtë loje para se të asistonte te sulmuesi i Lazios.

Nga ky moment vendasit e morën lojën nën kontroll dhe në minutën e 62’, Alexander Isak ‘bombardoi’ portën e Aro Muricit, duke realizuar një gol fantastik për rezultatin 2-0.

Suedia nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 79’ realizoi përsëri me anë të Robin Quaison, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 3-0.

Kjo ishte humbja e katërt e Kosovës nga 6 takime të zhvilluara dhe matematikisht nuk ka gjasa të kualifikohet në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.

Pas kësaj fitoreje, Suedia renditet e dyta në Grupin B me 12 pikë, kurse Kosova mbetet e katërta me 4 sosh.

Ndeshjen e radhës ‘Dardanët’ e luajnë të martën ndaj Gjeorgjisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë./Gazeta inFokus/

Të tjera