Opinione

Kosova e fundit në listën e varfërisë, e dyta për rritjen e çmimeve në rajon

Autori: Gazeta inFokus 19:45 | 05 November 2021

Produkti ushqimor nuk është mall luksi, që konsumatorit mund t’i thuhet lehtë nëse do bleje, nëse do leje. Produkti ushqimor i duhet domosdoshëm konsumatorit. Me çfarëdo kostoje të tregtohet ai, detyrohesh ta blesh. Prandaj ekzistojnë që në zanafillë dhe vazhdon të ketë kontrolle të ligjshme të tregut edhe në kapitalizëm. Ndryshe, do të vazhdojmë sikur me aminim të të gjithëve ta thellojmë edhe më shumë varfërinë tonë, të thyejmë rekorde vobektësie jo vetëm në rajon.

Shkruan: Mehmet GJATA

Kosova është në vendin e dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve për 4. 9 për qind në shtetet e rajonit. Dhe vazhdon të mbetet vendi i fundit më i varfër i rajonit. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë sot e gjithë ditën më pak të varfëra se Kosova.

-Advertisement-

Nga të dhënat e Trading Economics, të transmetuara nga shumë media shqiptare, në vend të parë qëndron Serbia me normë të inflacionit prej 5.7 për qind, ndërsa në vend të tretë është Bullgaria me një inflacion prej 4.8 për qind. Maqedonia e Veriut është e katërta me 3.7 për qind, ndjekur nga Kroacia me 3.3 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 3 për qind. Listën e vendeve e me normën më të lartë të rritjes së çmimeve e mbyll Mali i Zi dhe Shqipëria me 2.9 për qind përkatësisht 2.5 për qind.

Në muajin shtator, inflacioni në vendet e Bashkimit Evropian ishte 3.6 për qind, kurse në Eurozonë kjo normë ishte 3.4 për qind. Këto të dhëna tashmë doemos duhet të jenë të vjetëruara, sepse siç po shihet gjithandej në Kosovë, në vendet urbane dhe ndërurbane, nëpër shitoret, marketet e vogla dhe të mëdha, në supermarkete dhe megamarketet e panumërta, ngritja e çmimeve nuk po ndalet për asnjë ditë.

Gjatë tetorit, të gjitha produktet elementare ushqimore, ama mu të gjitha në Kosovë, i kanë ngjitur lartë dhe ndjeshëm çmimet. Disa produkte, kanë ngritur çmimet madje më shumë se përgjysmë. Prandaj, tashmë në fillim të nëntorit, shkalla e inflacionit në vendin tonë llogaritet logjikshëm që është më e lartë, bile goxha më e lartë se 4,9 për qindshi i shënuar në shtator. Sepse, nëse në ngritjen e nivelit të inflacionit ndikimin, ndër më të madhin, e ka lëvizja e çmimeve, gjegjësisht ngjitja lartë e tyre, atëherë logjikshëm është e pritshme që inflacioni në Kosovë të shkojë përtej 4,9 për qind, ta tejkalojë pra shifrën që në shtator na renditi në vendin e dytë ndër të gjitha shtetet e rajonit edhe për nga shkalla e inflacionit, edhe për nga ngritja e çmimeve, pothuaj të të gjitha produkteve e shërbimeve, e sidomos të produkteve që përbëjnë shportën e domosdoshme të një qytetari.

Ngritjen enorme dhe të vrullshme, thuaja të menjëhershme të çmimeve në Kosovë e kanë konfirmuar të gjithë tashmë. Së pari, konsumatorët, pra qytetarët, pastaj institucionet, Qeveria, Sindikatat kosovare, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), OEK, Instituti për Politika Zhvillimore INDEP, Mbrojtësit e Konsumatorëve, Organizata Konsumatori, dhe të gjitha asociacionet goxha të shumta numerikisht, dhe tani për tani vetëm vëzhguese indolente të ngarendjes së shfrenimit të pamatë të çmimeve në tregun tonë, edhe ashtu shumë të shtrenjtë deri më tani.

Tetori dhe këto ditë të nëntorit, ishte muaji i rekordeve për ngritjen e çmimeve te ne. Tregtarët kosovarë, me nguti, pa një pa dy, të shtirë madje sikur janë vonuar për ta zënë çastin, për mos ta lënë t’u ikë nga dora këtë momentum që u erdhi si i kërkuar kaherë, i ngritën ndjeshëm çmimet e thuaja të të gjitha produkteve, sidomos atyre ushqimore. Kësisoji, gjatë tetor – nëntorit i quan në qiell çmimet e miellit, të bukës, të të gjitha produkteve që kanë për bazë miellin, të vezëve, të vajit ushqimor, të sheqerit dhe të një numri jo të vogël artikujsh elementar ushqimor, siç janë produktet nga qumështi, mishi etj, duke shpallur, pa një pa dy, zëshëm arsyetimin e gënjeshtërt se “prodhuesit nga importohen këto produkte i kanë ngritur ndjeshëm çmimet”.

Natyrisht, pati ngritje edhe si rrjedhojë e importit më të shtrenjtë të produkteve të ndryshme. Por, në të shumtën e rasteve, çmimet e fryra në Kosovë të shumë artikujve ushqimorë janë bërë fare shpejtë, pa asnjë llogari dhe kalkulim rreth tregtimit të tyre, marzhës së fitimit etj.

Renditja në vendin e dytë ndër shtetet e rajonit sa i përket nivelit të inflacionit, që do të thotë edhe të ngritjes së shfrenuar të çmimeve e Kosovës shumë të varfër, flet për ngutinë, ngarendjen, për të mos thënë edhe ndërgjegjen e shumë tregtarëve që menduan ta shfrytëzojnë erën e çmimeve të ngritura në shumë vende të botës, të zhvatin dhe të pasurohen sa më shumë dhe sa më shpejtë, pa i menduar fare pasojat që do të lënë pas. E këto pasoja për kosovarët, shumica të varfër, janë sfida të rënda, që kanë të bëjnë në radhë të parë me ekzistencën e individit, familjes dhe më gjerë.

Deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, ngritja enorme e çmimit të shumicës absolute të produkteve ushqimore është atak i drejtpërdrejtë në mirëqenien e varfanjakëve, pra kosovarëve shumicë. Ata, të atakuar gjithanshëm, siç po shihet, nuk kanë as ku të ankohen për shqetësimin e tyre ekzistencial. Sepse, siç u pa në këto ditë nga reagimet e shumicës absolute të asociacioneve kompetente për përkujdesjen ndaj qytetarit, pra konsumatorit, këto asociacione, të gjitha thuaja, pos shprehjes së një shqetësimi dhe bashkëndjenje të gënjeshtërt me të goditurit nga çmimet e ngritura, asnjë veprim të vetëm nuk e bënë rreth shpërthimit të euforisë së katapultimit kaq rekordesk të çmimeve.

Tani, këto asociacione, e kanë gjetur një përgjigje, ç’është e vërteta, shumë stereotipe dhe të konsumuar jashtë mase këto ditë nga ta: “Ne nuk mund të përzihemi dhe të ndikojmë në ecurinë e ngritjes së çmimeve, meqenëse tashmë kemi pëqafuar sistemin kapitalist të qeverisjes dhe bashkë me te parimin themelor të tij, ekonominë e tregut që bazohet në ligjet e ofertës dhe kërkesës”.

Kësisoj, ata, pra, i ngritën sërish duart këto ditë, duke belbëzuar për ligjet e ekonomisë së tregut pa u dhënë asnjë përgjigje të vetme meritore dhe reale kërkesave të kosovarëve për të frenuar kaosin dhe shfrenimin e egër të çmimeve.

Asociacionet e sipërpërmendura, punonjësit numerikisht të shumtë të punësuar në to dhe që marrin pagat thuaja në tërësi nga taksat e të punësuarve kosovarë, të goditur më së ashpri nga shfrenimi i çmimeve, fare kollaj edhe kësaj radhe e gjetën fajtorin jashtë për zhvillimet rreth ecurive të çmimeve. Prandaj, radhitemi si të dytët në listën e çmimeve të ngritura në rajon. E kemi tejkaluar edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi, që janë më të pasura se ne, edhe Shqipërinë për nga çmimet e ngritura.

Ndërkohë që për vendet anëtare të BE-së, as që mund të flasim. Atje në muajin shtator, inflacioni ishte 3.6 për qind, kurse në Eurozonë kjo normë 3.4 për qind. Sikur, këto shtete të akceptuara nuk po importuakan produkte ushqimore dhe sikur te këto shtete nuk po vlejka ligji i ekonomisë së tregut, sado që me qindra vjet shumë nga to janë shtete kapitaliste.

Edhe në Gjermani, në Francë, në Spanjë, Itali dhe kudo në shtetet e tjera të Evropës, do të kishte kaos në ecurinë e çmimeve po të rrinin duarkryq asociacionet që e kanë për detyrë përcjelljen e ecurive të çmimeve, po të mos vepronin me vendosmëri kundër çdo paligjshmërie, natyrisht duke e respektuar ekonominë e tregut. Ekonomia e tregut, pra duhet të respektohet gjithsesi, por duhet të respektohet edhe ligjshmëria dhe logjika e ngritjes së çmimit për mbi përgjysmë dhe përnjëherë, brenda ditës të një produkti ushqimor.

Dhe produkti ushqimor nuk është mall luksi, që konsumatorit mund t’i thuhet lehtë nëse do bleje, nëse do leje. Produkti ushqimor i duhet konsumatorit. Me çfarëdo kostoje të tregtohet ai, detyrohesh ta blesh. Prandaj ekzistojnë që në zanafillë dhe vazhdon të ketë kontrolle të ligjshme të tregut edhe në kapitalizëm. Ndryshe, do të vazhdojmë sikur me aminim të të gjithëve ta thellojmë edhe më shumë varfërinë tonë, të thyejmë rekorde vobektësie jo vetëm në rajon.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera