Lajme

“Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veri”

Autori: Gazeta inFokus 17:19 | 12 May 2023

Të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë tregojnë se Serbia është duke i rihapur zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në katër komuna të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013.

Sipas të njëjtave të dhëna, selia kryesore e MPB-së do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion në terren e as nga institucionet serbe.

-Advertisement-

Serbia kishte strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në fund të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.

Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës.Në ato kontrata, ndër të tjera, shkruhet se duhet të punojnë për të mirën e komunitetit serb.

“Është bërë mjaft”, ishin fjalët e shefit të atëhershëm të operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin verior, Aleksandar Filipoviq, i cili hoqi i pari uniformën.Për një akt të tillë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Filipoviqin me Medaljen e Artë për Guxim – Millosh Obiliq.

Vizita sekrete e Filipoviqit në policinë serbe

Sipas të dhënave të një institucioni të sigurisë të Kosovës në të cilat REL-i pati qasje, Filipoviq ka qenë në një takim të mërkurën, më 10 maj, në ambientet e Agjencisë së Informacionit (BIA) në Beograd.Pas kësaj, me urdhër të Filipoviqit, një ish-zyrtar tjetër në Policinë e Kosovës, Goran Zhivkoviq, i njoftoi të gjithë ish-komandantët e stacioneve policore në komunat në veri se do të hapen dy zyra të MPB-së së Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Zhivkoviq është i njohur për publikun si komandant i stacionit policor në veri të Mitrovicës, ndërsa në maj të vitit 2022 ai e informoi opinionin se rreth 60 persona ishin në listën e të dyshuarve “për përmbysje të rendit kushtetues të Kosovës”.Ndryshe, njëra zyrë në Mitrovicën e Veriut do të duhej të funksiononte në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë, ndërsa tjetra në objektin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, i cili punon nën sistemin serb.

Ku tjetër pritet të jenë zyrat e MPB-së serbe?Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se të njëjtat zyre do të hapen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, po ashtu edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë.

Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.Fshati Rudarë gjendet në rrugën kryesore Mitrovicë – Leposaviq dhe njihet për barrikadat që janë vendosur aty që nga viti 2011 me qëllim që të pengojnë autoritetet e Kosovës të vendosin pushtetin në veri.

REL-i u përpoq të kontaktonte me Filipoviqin dhe Zhivkoviqin për të verifikuar këto pretendime, por pa sukses.Gjithashtu, REL-i iu drejtua BIA-s dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë me kërkesën që të konfirmojnë ose mohojnë këto informacione, por këto institucione nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti.

As Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe as Qeveria e Kosovës nuk i kanë komentuar këto pretendime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera