Lajme

PrizrenKosova dhe Gjermania nënshkruajnë Marrëveshjen me vlerë 12 milionë e 950 mijë euro për Bashkëpunim Teknik për vitin 2017

Autori: Gazeta inFokus 15:19 | 11 December 2017

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt kanë nënshkruar sot Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, në vlerë prej 12 milionë e 950 mijë euro, për fonde shtesë për Bashkëpunim Teknik për vitin 2017.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza tha se “ Kam kënaqësinë e veçantë që sot së bashku me ambasadorin gjerman Christian Heldt të nënshkruajmë Marrëveshjen për Bashkëpunim Teknik për fonde shtesë për vitin 2017 me Qeverinë Gjermane në vlerë prej 12 milionë e 950 mijë euro në formë të granteve për mbështetjen në disa projekte në fushën e bashkëpunimit teknik. Marrëveshja për këto fonde shtesë vjen pas ratifikimit të marrëveshjes bazë për të njëjtin qëllim gjatë vitit 2017 e cila ishte në vlerë prej 16 milionë euro” .

“Vlen të theksohet se marrëveshjet për bashkëpunim teknik dhe financiar i nënshkruajmë me Qeverinë Gjermane si pasojë e mungesës së marrëveshjes kornizë, për të cilën shpresojmë se së shpejti do të përfundohen procedurat dhe do të arrijmë edhe nënshkrimin e saj”, theksoi Ministri Hamza.

-Advertisement-

Sipas tij, kjo marrëveshje më konkretisht do të përdoret për mbështetje në projektet si në vijim:

  1. “Rinia, punësimi dhe aftësimi”, projekt i cili ka për qëllim të rrisë punësimin e të rinjve dhe grupeve të ndjeshme siç janë emigrantët e rikthyer. Gjithashtu, me këtë projekt parashihet edhe hartimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kombëtar për Riintegrim.
  2. “Promovimi i konkurrueshmërisë në sektorin privat në zonat rurale (COSiRA)”, paraqet një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sektorit privat, rritjes së punësimit dhe rrjedhimisht aktivitetit ekonomik në zonat rurale, veçanërisht në sektorët me potencial zhvillimor, siç janë vreshtaria, prodhimi, frutat malore, përpunimi i metaleve, etj.
  3. “Zhvillimi i kapaciteteve në sektorin e arsimit fillor në Kosovë (CDBE)”, si projekt me kohëzgjatje 5 vjeçare, ka si objektivë mbështetjen e sektorit të arsimit në vend, me fokus të veçantë në përmirësimin e kualitetit të arsimit dhe proceseve menaxhuese në fushën e arsimit, me qëllim të rritjes së performancës dhe zhvillimit profesional të mësuesve.

 “Ndërtimi i shërbimeve të qëndrueshme komunale”, fokusohet në ngritjen e kapaciteteve komunale, qeveritare, dhe të sektorit privat për menaxhimin e mbeturinave, ku hyn edhe rishikimi i strategjisë kombëtare për menaxhim të mbeturinave të ngurta dhe hartimi i një plani për këtë qëllim.

Ministri Bedri Hamza, bëri të ditur se realizimi i këtyre projekteve është i rëndësisë së madhe për qytetarët e vendit të Kosovës e sidomos për kategorinë e personave të rikthyer në Kosovë, të cilëve në fillimi ju duhet mbështetje më e madhe.

“Para një jave kishim konsultat mes dy Qeverive, dhe Qeveria Gjermane u zotua se do të mbështes më tutje popullin e Kosovës në rrafshin e bashkëpunimit financiar dhe teknik për realizim të projekteve tejet të rëndësishme për qytetarët e vendit. Ndihma dhe përkrahja e Shtetit dhe Qeverisë Gjermane ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e rëndësishëm për zhvillimin dhe forcimin e mëtutjeshëm të institucioneve dhe ekonomisë tonë. Andaj, në emër tim, në emër të Institucioneve të vendit dhe në emër të popullit të Kosovës, falënderoj shtetin gjerman dhe tatimpaguesit e tij për një mbështetje të tillë”, shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu theksoi se “Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla me Qeverinë Gjermane e thekson edhe një herë përkushtimin e kësaj të fundit për të mbështetur Kosovën drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm ekonomik dhe drejt integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovës Christian Heldt duke falënderuar Ministrin Hamza për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve, theksoi se   nënshkrimi i Marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy shteteve, ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Siç e dini Gjermania e ka mbështetur që  nga fillimi Kosovën nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale edhe me investime financiare në infrastrukturë përmes KfW-së, si dhe me asistencë teknike përmes GIZ-it gjerman. Është qëllimi ynë që ta mbështesim këtë vend të ri në fusha të ndryshme, siç është arsimi, rritja e kunkurueshmërisë dhe në fusha të tjera, në mënyrë që vendi të ec drejt integrimit evropian”, shtoi Ambasadori Heldt.

Ai bëri të ditur se “Qëllimi i kësaj Marrëveshje është si rezultat edhe i  valës së migrimeve të kosovarëve drejt Gjermanisë në vitin 2014 , ku njerëzit u larguan nga vendi për të gjetur një jetë më të mirë dhe duke u nisur nga fakti që një pjesë e madhe e tyre ose nuk u kualifikuan për të marrë qëndrim nëGjermani, ose nuk kanë gjetur punë atje, janë kthyer mbrapa dhe me rastin e kthimit të tyre kanë pasur probleme për riintegrim në kuadër të shoqërisë kosovare.  Dhe për shkak të raporteve të afërta ndërmjet dy vendeve tona, Qeveria Gjermane e ka parë të arsyeshme që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës në mënyrë që ta ndihmojë procesin e riintegrimit të të kthyerve”.

“Në vitin 2016, Institucionet gjermane përgjegjëse për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim, filluan projekte që kishin për qëllim ti ndihmojnë të kthyerit në Kosovë.  Qëllimi ishte që të kthyerve vullnetar të ju jepet një rast i ri për një fillim të ri në vendin e tyre. Megjithatë nuk janë vetëm të kthyerit, por janë edhe të tjerët që janë në gjendje që të participojnë në këtë program. Në këtë mënyrë do të rriten mundësitë për punësim, në mënyrë që të përmbushet qëllimi i Qeverisë gjermane, që ka qenë të ndihmohet zhvillimi i perspektivës ekonomike në vend”, shtoi Ambasadori Heldt.

Ai gjithashtu theksoi se këtë vit Gjermania ka ndarë për Kosovën rreth 13 milionë për projekte të ndryshme të cilat përçojnë gjithashtu edhe me prioritetet e Qeverisë dhe natyrisht edhe me aspektet buxhetore të Qeverisë së Kosovës, të cilat synojnë ti mbulojnë këto fusha.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera