Opinione

Kosova dhe Afganistani, ose absurditeti i krahasimeve!

Autori: Gazeta inFokus 18:42 | 19 August 2021

Askush nuk mund ta dijë me saktësi se kur mund të ndodhë tërheqja amerikane nga Kosova. Mirëpo është e sigurt ata nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë dhe kjo iu jep të drejtë të gjithë atyre që besojnë se Kosova do të arrij të konsolidohet si shtet dhe do të ruaj partneritetin me NATOn, SHBAtë dhe BEnë. Afganistani u pushtua nga brenda dhe u shkatërrua nga përçarjet krahinore e fisnore. Kosova është tjetër storie. Ajo arriti të lirohet pas një rezistence të gjatë e të sukseshme dhe fiset i ka vetëm si relikt etnopsikologjik, por në jetën e përditshme dhe sidomos në kulturën shtetndërtuese, tradita fisnore nuk luan kurrfarë roli.

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Vëmendja e opinionit botëror është shndërruar në sy e vesh pas ngjarjeve dramatike në Afganistan, ku ndodhi një përmbysje totale e situatës politike e të sigurisë në këtë vend shkëmbor aziatik.

-Advertisement-

Për njëzetë vite Afganistani ishte nën ombrellën e sigurisë amerikane, por kjo nuk mjaftoi që në këtë shtet të vendosen struktura të konsoliduara institucionale, përfshi ushtrinë, policinë, gjykatat etj.

Kaosi që po mbretëron në Afganistan është i përmasave tepër tragjike, pas rrëmujës nëpër aeroporte, ku qindra mijëra njerëz të dëshpëruar po përpiqen sa më parë ta braktisin vendin e tyre për shkak të hakmarrjes që mund të ndodhë mbi ta nga ana e talebanëve. Raporohet se ka pasur ekzekutime publike ndaj përfaqësuesve të ndryshëm që kishin qenë lojal ndaj forcave amerikane dhe ish udhëheqjes afgane. Një vend relativisht i sigurt, përnjëherë u shndërra në një qendër gjikante ‘rekrutimi’ refugjatësh dhe tash më shumë shtete kanë marrë përsipër pranimin e tyre deri në një zgjidhje përfundimtare.

Por, në fakt, çka po ndodhë aktualisht? Pas rikthimit të talebanëve, Afganistanin mund ta drejtojë një Këshill nacional, ndërkohë që lideri i lëvizjes islamike Haibatulah Ahungjada sigurisht do të mbetet udhëheqësi suprem.

Këtë e ka konfirmuar për Reuters një përfaqësues i lartë i talebanëve. Këta të fundit do të përpiqen gjithashtu që të bëjnë për vete ish pilotët dhe pjesëtarët e armatës afgane. Fillimisht interesimi më i madh është për pilotët e trajnuar nga instruktorë amerikanë.

Por mbetet të shihet se si do të realizohet ky plan pasi që talebanët brenda 20 viteve kishin vrarë mijëra ushtarë të forcave afgane.

Struktura drejtuese e shtetit do të jetë gati identike me Afganistanin e udhëhequr për herë të fundit nga talebanët para 20 viteve.

Nga viti 1996 – 2001 udhëheqës suprem ishte Mula Omari, i cili kishte qëndruar në prapavijë, kurse problemet tjera shtetërore i kishte zgjidhur Këshilli taleban.

Udhëheqësit taleban ende nuk kanë zbuluar për mediat perendimore shumë çështje që lidhen me strukturën politike të pushtetit të ri, por janë shumë të sigurt se Afganistani në të ardhmen nuk do të jetë një shtet demokratik dhe ai do të drejtohet sipas parimeve juridike të Sheriatit.

Afganët njihen si popull mjaft luftarak, kurse Afganistani me të drejtë është quajtur si “varri i perandorëve”. Afganët kanë bërë beteja të mëdha me kolonizatorët britanikë nëjug dhe me sovjetikët në veri, deri sa këta të fundit në vitin 1979 e pushtuan Afganistanin, dhe më pas instaluan nje qeveri komuniste përmes një grusht shteti. Ky invadim sovjetik nxiti rezistencën afgane dhe për një kohë të shkurtër u aktivizuan mijera vullnetarëtë quajtur “të rinjtë islamikë” apo “xhihadistë”, të cilët iu bashkuan luftës anti-sovjetike. Në mesin e tyre ndodhej edhe Osama Bin Laden.

Këto aradha guerile u furnizuan me armë të llojeve të ndryshme nga SHBA. Të njëjtat armë talebanët i mbajnë në duar edhe këtyre ditëve.
Pas një rezistence të fortë, nëvitin 1989 sovjetikët braktisën Afganistanin, ndërkohë që talebanët që udhehoqën luftën, morën pushtetin dhe vendosën regjimin islamik, ndërsa mbi bazën e “rinisë islame” lindi edhe “Al Kaeda”.

Brenda kësaj periudhe 20 vjeçare, shumica e udhëheqësve që kishin drejtuar rezistencën talebane, në mesine të cilëve edhe Osama Bin Ladeni, nuk janë më, siç nuk ekziston më edhe Al Kaeda, por talibanët u rikthyen ne pushtet dhe Afganistani humbi shansin të behet një shtet modern e demokratik. Shoqëria afgane shumë shpejt u akomodua në luksin e pranisë ushtarake amerikane dhe nuk arriti të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm që do të prodhonte edhe demokraci, edhe rezistencë ndaj rikthimit të talebanëve. Afganistani fatkeqësishtështërikthyer tek qeverisjet fisnore, në bazë krahinash, një model ky fatal i keqmenaxhimit të shtetit që mbyll të gjitha rrugët e reformave dhe rimëkëmbjes.

Ditëve të fundit po bëhen analiza të shumta mbi shkaqet që sollën në degradimin kaq të shpejt të strukturave shtetërore e ushtarake afgane. Forcat e sigurisë afgane kishin trajnimin dhe aftësinë për të mbrojtur vendin, por gjithçka i ngeli në dorë “dëshirës dhe lidershipit”, ka thënë Gjenerali amerikan Mark Milley në një konferencë për shtyp nga Pentagoni.
“As unë, askujt tjetër nuk na e merrte mendja që një ushtri e përmasave të tilla të kapitullonte në 11 ditë”, tha ai.

Rënien e forcave të sigurisë afgane e komentoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e konsideroi këtë një “tragjedi”. “Ka shumë mësime të vështira për të nxjerrë nga ngjarjet e fundit në Afganistan”, tha ai për BBC.

Stoltenberg fajësoi mungesën e lidershipit dhe logjistikës nga qeveria afgane dhe jo ushtarët, të cilët i konsideroi trima dhe profesionistë.

Ai tha se NATO shkoi në këtë shtet pas sulmit në SHBA dhe një moment që Amerika vendosi fundin e prezencës së saj ushtarake në Afganistan nuk kishte opsion praktik për aleatët europianë për të qëndruar.

“Plani jonë nuk ishte kurrë për të qëndruar përjetë në Afganistan”, tha ai.

Mirëpo të gjitha këto analiza tani nuk iu ndihmojnë njerëzve në Afganistan që kanë mbetur nën mëshirën e fatit, sepse jeta e tyre tash e tutje varet nga ligjet e reja të talebanëve.
Për të vërtetuar këtë mjafton lajmi që u shoqërua me fotografi nëpër mediat ndërkombëtare ku njoftohej se luftëtarët talebanë kishin qëlluar për vdekje një grua gjatë të martës pasi nuk kishte bartur burka – e krejt kjo ndodhi në po të njëjtën ditë kur ky grup u zotua se do të respektojë të drejtat e grave në Afganistan.Fotografitë e publikuara shfaqin gruan e shtrirë dhe të mbuluar në gjak në provincën Takhar, ku ishte rrethuar nga më të dashurit që vajtonin vdekjen e saj, pasi u qëllua për vdekje nga talebanët me arsyetimin se nuk kishte mbuluar kokën në publik.

Ndodhitë në Afganistan prodhuan edhe shumë parashikime e vrojtime nga më të ndryshmet. Ajo që i bën të përbashkëta këto vrojtime është konstatimi se imazhi i SHBA dhe NATOs në sytë e opinionit ndërkombëtar ka pësuar një dëshprim, për arsye se askush nuk e kishte pritur që një prani 20 vjeçare në Afganistan nuk do të mund të krijonte parakushte për një shtet normal, ku të gjithë do të ndjheshin të sigurt edhe pas shkuarjes së kësaj prezence të huaj.

Por pati edhe analiza jo të qëlluara, sidomos ato që mundoheshin të nxirrnin krahasime në mes të zhvillimeve dramatike në Afganistan dhe situatës në Kosovë. U shkua madje aq larg sa që iu dha një rol tepër i rëndësishëm Serbisë në rast se nga Kosova do të largoheshin forcat ndërkombëtare të sigurisë. Për të qenë absurdi më i madh, ky diskurs dashakeq për Kosovën u imponua pasi që forcat amerkikane ishin larguar nga Afganistani, duke trumpetuar se një këvizje e tillë mund të ndodhë edhe në Kosovë. Pa hyrë shumë në specifikat e dy vendeve, ky diskurs dashakeq u mundua të nënvleftësoj shtetin e Kosovës dhe shoqërinë tonë në përgjithësi, duke ia atribuar atyre paaftësinë për të qeverisur vendin pas largimit të amerkikanëve dhe për pasojë, sipas tyre, Serbia do të mund ta pushtonte Kosovën për 9 orë.

Askush nuk mund ta dijë me saktësi se kur mund të ndodhë tërheqja amerikane nga Kosova. Mirëpo ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se ata nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë dhe kjo iu jep të drejtë të gjithë atyre që besojnë se Kosova do të arrij të konsolidohet si shtet dhe do të ruaj partneritetin me NATOn, SHBAtë dhe BEnë, me qëllim të një procesi të sukseshëm euro-atlantik. Do të arrij të konsolidohet sidomos ushtria e saj, si me armë të sofistikuara, ashtu edhe me trajnime të vazhdueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kosova ndodhet në Europë dhe ajo është pjesë e një civilizimi perendimor, i cili u mbrojt fuqishëm në vitin 1999 po nga Perendimi, si rezultat i një aleance ndërkombëtare që pasoi me bombardimin e Serbisë dhe dëbimin e forcave të saj nga Kosova.

Shteti i pavarur i Kosovës u krijua pas luftërave të parreshtura për liri dhe pas një bashkëpunimi të sukseshëm diplomatiko-ushtarak me Perendimin. Produkt i këtyre luftërave është vetëdija shtetëtore për të udhëhequr shtetin jo me klane e me fise, por me institucione të qëndrueshme dhe me reforma. Mbi të gjitha është një vetëdije shtetërore që mbetet garant i demokracisë dhe i zhvillimit edhe pas largimit të prezencës ndërkombëtare.

Afganistani u pushtua nga brenda dhe u shkatërrua nga përçarjet krahinore e fisnore. Kosova është tjetër storie. Ajo arriti të çlirohet pas një rezistence të gjatë e të sukseshme dhe fiset i ka vetëm si relikt etnopsikologjik, por në jetën e përditshme dhe sidomos në kulturën shtetndërtuese, tradita fisnore nuk luan kurrfarë roli. Prandaj është për të ardhur keq se si disa mendjeshkurtër me kaq lehtësi lëshohen në krahasime bajate që nuk përkojnë fare me realitetin.

Sidoqoftë Afganistani do të mbetet tash e tutje pika referuese ku do të bazohen të gjitha mësimet dhe pësimet, sepse përsëritja e historisë ka ndodhur disa herë, dhe ata që nuk arrijnë të mësojnë nga kjo janë të dënuar të pësojnë.

Prishtinë, 19 gusht, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera