Lajme

Kosova askund me vaksina antiCOVID-19

Autori: Besarta Qadraku 10:35 | 03 March 2021

Derisa në Kosovë ende nuk ka arritur asnjë dozë e vetme e vaksinës kundër koronavirusit, vendet e rajonit tashmë kanë nisur vaksinimin, shkruan Gazeta Infokus.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj pati premtuar që edhe Kosova do të sigurojë vaksinat në muajin shkurt, por  një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pse jemi në muajin mars.

Kështu, Kosova ka mbetur e fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket sigurimit dhe furnizimit me vaksina për të luftuar koronavirusin.

-Advertisement-

Në Tiranë më 11 janar 2021, ka filluar zyrtarisht fushata e vaksinimit kundër koronavirusit.

Shqipëria veçse ka marr kontigjentët e vaksinës së Pfizerit pothuajse çdo javë, kurse në prill në këtë shtet pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës AstraZenecas.

Ndërsa,  në Beograd, vaksinimi kundër koronavirusit ka filluar më 24.12.2020.

Serbia ka siguruar katër lloj vaksina dhe po ashtu i ka dhuruar disa doza edhe Maqedonisë së Veriut, Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinës.

Mungesa e vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë, po shihet me shqetësim nga infektologët.

Ilir Tolaj, infektolog, ka thënë për Gazetën Infokus se qytetarët duhet vaksinohen sa më parë për të kontrolluar situatën me koronavirusin

“Është evident fakti se vendet e rajonit e kanë filluar vaksinimin, disa me intensitet e disa të tjera në mënyre simbolike, ndërsa Kosova ende nuk i ka siguruar vaksinat. Ky fakt flet se Kosova është prapa vendeve të rajonit në ketë aspekt. Me siguri që të siguruarit sa më parë të vaksinave do te ishte një përparësi në betejën kundër Covid 19. Përmes vaksinimit masiv, do ta krijonim më shpejtë imunitetin kolektiv i popullatës. Është e vërtetë se në Kosovë një numër shumë i madh i njerëzve e kanë kaluar infeksionin, me siguri që kjo shifër tejkalon gjysmë milion njerëz. Imuniteti kolektiv i krijuar tashmë përmes infeksionit natyror, është duke e mbrojtur Kosovën nga një rritje enorme e numrit të rasteve të reja. Vaksinimi masiv sa më parë do të kishte ndihmuar shumë në përpjekjen tonë për ta kontrolluar përfundimisht Covid 19”, ka thënë ai.

Gjithashtu Tolaj, deklaroi se Kosova duhet të sigurojë sasi të mjaftueshme e jo sasi simbolike  të vaksinave për të pasur efekt.

Ndryshe të martën aleanca Covax ka publikuar listën e vendeve të cilat do të furnizohen me vaksina në periudhën mars-maj. Një nga këto vende është edhe Kosova ku pritet të dorëzohen 100 mijë e 800 vaksina Astra Zeneca./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera