Lajme

Kosova as sivjet nuk e siguron bukën

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 23 September 2018

Sipërfaqja e tokës bujqësore në Kosovë nga viti në vit po zvogëlohet. Tokat bujqësore janë shndërruar në zona industriale, objekte afariste, komerciale dhe banesa kolektive.

Që nga paslufta, në Kosovë hektarë të shumtë të tokave bujqësore, kryesisht rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës, janë përdorur për qëllime jobujqësore.

Ndërrimi i destinimit nga toka bujqësore theksohet si një problem për të siguruar prodhime bujqësore në të ardhmen.

-Advertisement-

Të dhënat zyrtare mungojnë se sa hektarë tokë bujqësore i është ndërruar desitinimi.

Por, sipas disa të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vit rreth 500 hektarëve tokë bujqësore u ndërrohet destinimi. Kurse sipas të dhënave të Sindikatave të Bujqve kjo shkon edhe më shumë, dhe atë deri në 1000 hektarë.

Idriz Gashi, shef i Divizionit për Tokën Bujqësore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë i tha Radios Evropa e Lirë se sa i përket ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore, Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna të sakta.

Sipas tij, komunat e Kosovës, të cilat në bazë të Ligjit për bujqësi e kanë kompetencë, nuk i kanë sjell këto të dhëna.

Por, Gashi bën të ditur se të dhënat e fundit për këtë janë nga një projekt i bërë vite me parë në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

“Bazuar në një analizë të argumentuar në aspektin territorial dhe ligjor që Ministria e Bujqësisë e ka realizuar me një projekt të Komisionit Evropian, ku kanë qenë të përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, vlerësohet se në Kosovë brenda një viti, përafërsisht nga toka bujqësore në destinime jobujqësore kalojnë rreth 500 hektarë në mënyrë të planifikuar dhe të paplanifikuar”, thotë Gashi.

Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të bujqësisë, tokë bujqësore llogariten të jenë 413,635 hektarë.

Nëse kjo sipërfaqe tokë bujqësore llogaritet për kokë banori, sipas Gashit është shumë e ulët dhe nën mesataren e standardit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së (FAO).

“Sipas standardeve të FAO-së, limiti i tokës bujqësore për kokë banori është rreth 17 ari për të siguruara të mirat materiale për një zhvillim të qëndrueshëm të njerizimit, derisa, përafërsisht ne kemi vetëm 15 ari tokë bujqësore për kokë banori dhe jemi nën limitin ekzistencial. Por, që kjo nuk paraqet ndonjë rrezik për të ardhmen, pasi që 50 mijë hektarë tokë pyjore mund të shndërrohen në toka bujqësore”, thotë Gashi.

Reshjet shkaktojnë mbi 7 milionë euro dëme në bujqësi
Ekspertë të bujqësisë në Kosovë vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore në të ardhmen do të sjellë pasoja, në mungesë të sigurimit të produkteve elementare bujqësore.

Këtë shqetësim e ngrehin edhe përfaqësues të sindikatave të bujqve.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se qysh nga paslufta ndërtimet të shumta janë bërë në tokat bujqësore.

“Konsiderohet se në vit uzurpohen 800 deri në 1000 hektarë tokë bujqësore. Kjo për bujqësinë dhe shtetin e Kosovës është dëm i madh që do të ketë pasoja të mëdha edhe në të ardhmen. Kemi sipërfaqe të vogla të tokave bujqësore për kokë banori. Ne po varemi nga produktet bujqësore të importuara, ky import në të ardhmen do të rritet. Betonimi i tokave bujqësore po e zvogëlon mundësinë për të siguruar produktet bujqësore, por zvogëlon edhe zhvillimin e bujqësisë”, thotë Tahiri.

Tokat bujqësore më cilësore të Kosovës, sipas Tahirit, janë betonuar dhe sipas tij, ajo tokë bujqësore në të cilën është ndërtuar më nuk do të mund të kthehet në tokë të punueshme.

“Ato toka janë të mbrojtura me Ligjin për tokat bujqësore, por ato ligje nuk përfillen nga institucionet tona, fatkeqësisht. Kuvendet komunale lejojnë dhe lëshojnë leje për ndërtim të objekteve të ndryshme në tokat bujqësore që janë të mbrojtura me ligj. Si sindikatë kemi reaguar tek institucionet kompetente që të ndërpritet kjo dukuri dhe të lirohen tokat bujqësore që janë të uzurpuara, por deri më tani asgjë nuk ka në këtë drejtim”, thotë Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën, e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimine tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë për qëllime jobujqësore.

Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera