Lajme

Koronavirusi në Shqipëri, dy viktima, 74 raste të reja dhe 42 të shëruar në 24 orët e fundit

Autori: Gazeta inFokus 11:49 | 07 July 2020

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë deklaroi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 409 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 74 raste pozitive.

Dr. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën epidemiologjike tha se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë, Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnje, Mirditë, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastër, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe”.

“Në 24 orët e fundit 2 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19. Një qytetare 45-vjeçare nga Berati dhe një 82 vjeçar nga Kruja, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha Daja.

-Advertisement-

Sipas saj, vijon të ketë shtrime në Spitalin Infektiv ku aktualisht janë 81 pacientë në spital, mes tyre edhe mosha të reja.

“7 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 2 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”, u shpreh ajo.

Ndërsa në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar në 1744 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në Shqipëri aktualisht janë 1213 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera