Lajme

“Korniza e re” e dialogut, Kurti thotë se nuk i komenton dokumentet pa autor

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 21 September 2022

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, mirëpo unë besoj që nuk është as e dobishme e as drejtë që t’i komentoj ato dokumente që nuk kanë autor, por bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media pas hapjes së “Samitit Digjital” në Prishtinë.

Sipas tij, vetëm dokumentet që prodhohen në Bruksel duhet të komentohen.

Gjatë fundjavës u publikua një dokument që thuhej se ishte “korniza e re” e propozuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas këtij dokumenti, njohja reciproke nuk është më pjesë e marrëveshjes finale, por që ndër tjera Kosovës i garantohen njohjet e pesë vendeve të BE-së.

Kurti tha se normalizimi i raporteve me Serbinë duhet të bëhet me marrëveshje ligjërisht të obligueshme, “ku në qendër duhet të jetë njohja reciproke”.

Për “kornizë të re” për dialogun foli më 10 shtator edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai deklaroi se gjatë vizitës në Beograd të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, atij iu ofrua një dokument, por ai refuzoi që ta pranonte.

Më 15 shtator, Mirosllav Lajçak zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

Ai tha se qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është “çuarja përpara” e këtij procesi.

Lajçak tha se në takim u bisedua për “vazhdimin e dialogut” dhe për takimin e ardhshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të këtij procesi. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë./rel

Të tjera