Lajme

Kontratat e dyshimta të “Kosovës së Re”

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 10 June 2017

Kompania e sigurimeve “Kosova e Re” e cila ishte para falimentimit vitin e kaluar është rikthyer në treg për një kohë shumë të shkurtër. Kjo falë dhjetëra kontratave për sigurim të punëtorëve e veturave të arritura në mënyrë të dyshimtë me disa prej institucioneve publike në Kosovë.

Brenda vetëm pesë muajsh kjo kompani nënshkroi kontratë për sigurim të punëtorëve e veturave me institucionet publike si KOSTT, PTK, Sindikatën e Doganave të Kosovës, pastaj me KEDS-in e KESCO-n. Po ashtu kontrata u arritën edhe me dy komuna, në Skenderaj e Drenas.

Këto kontrata u nënshkruan menjëherë pasi në krye të kësaj kompanie erdhi pronari i ri, kompania ndërtimore “Fitorja”, e cila njihet e afërt me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.

-Advertisement-

Gazeta Fjala pati shkruar se kjo kompani është e afërt me ish-deputetin Elmi Reçica dhe Faton Hasanin i cili është emëruar nga Banka Qendrore si drejtor gjeneral në “Kosovën e Re”.

Hasani është në kryesi të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe në shumë raste dëshmon me fotografi në krah me Elmi Reçicën dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

kosova e re foto 1

Hasani: “Kosova e Re po rikthehet fuqishëm në treg

Nënshkrimin e këtyre kontratave e kishte paralajmëruar vet drejtori gjeneral i “Kosovës se Re”, Faton Hasani.

Ai në një njoftim publik të mëhershëm kishte thënë se kompania e sigurimeve ”Kosova e Re” po rikthehet fuqishëm ne tregun e sigurimeve në Kosovë.

“Kosova e Re” i ka kushtuar gjithashtu rëndësi tjetër të posaçme zhvillimit te produktit ”sigurimi i shëndetit privat” dhe gjatë kësaj jave janë nënshkruar kontratat për sigurimin e punëtorëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre me korporatat me të mëdha në vend si: KEDS, KESCO, KOSTT, PTK, Sindikata e Doganave të Kosovës etj”, thuhet në një njoftim publik të menaxhmentit të publikuar në faqen zyrtare në facebook nga drejtori Faton Hasani.

Në këtë njoftim, Hasani thotë se brenda 5 muajsh pronari i ri, kompania “Fitorja, kanë arritur ta riorganizojnë krejtësisht ndërmarrjen.

“Tradita 43-vjecare që e bën të jetë kompania më e vjetër e sigurimeve në Republikën e Kosovës, kuadri profesional, menaxhmenti i dëshmuar në fushën e sigurimeve, dhe sukseset e aksionarëve, grupit të bizneseve vendore nën ombrellën e korporatës ”Fitorja” me seli në Ferizaj tashme pronare të kompanisë të sigurimeve ”Kosova e Re” për një periudhë të shkurtër prej vetëm 5 muajsh kanë riorganizuar në tërësi kompaninë duke i kushtuar rëndësi të posaçme klientëve të saj besnike”, ka thënë Hasani.

kosova e re foto

Si iu ndërrua pronari “Kosovës se Re”

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, vitin e kaluar ishte në hall me kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Për shkak të problemeve financiare që kjo kompani po kalonte, BQK për pak sa nuk ia vuri drynin.

Për të shpëtuar kompania, e vetmja mundësi ishte gjetja e një pronari të ri. Në ndihmë guvernatorit Hamza i dolën bashkë partiakët e dikurshëm nga Partia Demokratike të Kosovës.

Në fund të vitit 2016, kompania “Fitorja” nga Ferizaj që merret me ndërtimtari, i bleu 100 për qind të aksioneve të “Kosovës se Re”. Kjo kompani që aktualisht po e ndërton kompleksin “Iliria Rezidence” njihet e afërt me zyrtarë të Lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht ish-deputetin Elmi Reçica.

Ndërkohë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si drejtor gjeneral në kompaninë “Kosova e Re” figuron emri i Faton Hasanit.

Hasani ka pranuar për Gazetën Fjala se është anëtar i PDK-së në Ferizaj, që nga paslufta.

“Pozitën të cilën e mbaj në PDK, dega në Ferizaj është anëtar i Këshillit Drejtues. Jam pjesë e këtij subjekti politik që nga themelimi”, ka thënë Hasani.

Sa i përket lidhjeve me Reçicën, Hasani thotë se “i takojmë të njëjtit subjekt politik dhe se kjo është lidhja me ta”.

“Aktiviteti im brenda subjektit të cilit i takoj, PDK-së është publik dhe plotësisht transparent”.

Ndryshimin e pronësisë se kësaj kompanie e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. Zëdhënësi për media, Besnik Kada, thotë se kompania në fjalë Ka bërë kërkesë në BQK për aprovim të ndryshimit të pronësisë.

“Pas shqyrtimit të kërkesës, si dhe vlerësimit të pajtueshmërisë me kërkesat ligjore për ndryshim pronësie, BQK-ja ka miratuar kërkesën e kompanisë”, ka thënë Kada. Sa i përket pronarit të ri, Kada ka thënë se të gjitha të dhënat janë publike. /Gazeta Fjala/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera