Kontrata e lobimit në ShBA nuk do të rregullojë marrëdhëniet me Kosovën
Autori: Gazeta inFokus 10:39 | 26 August 2023
Kontrata e nënshkruar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk pritet të ndikojë në përmirësim të imazhit të Kosovës. Opozita dhe shoqëria civile konsiderojnë se marrëdhëniet e qeverisë me ShBA-të, janë në gjendjen më të keqe.
Sipas tyre, Kosova nuk e ka luksin që të injorojë Amerikën, në mënyrën siç ka vepruar deri më tani. Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë kontratë.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi thotë se Kosova për herë të parë është në gjendje të rëndë sa i përket politikës së jashtme.
“Për herë të parë është një gjendje shumë e rëndë sa i përket politikës së jashtme. Me ardh në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, me asnjë qeverisje paraprake të cilat kanë qenë. Mirëpo, ky kryeministër ka vendosur të shkojë kështu siç është duke shkuar. Nuk bën kështu, duhet të ulet dhe të dakordohet në mënyrë që Kosova të del nga ky qorr-sokak që është futur kjo qeveri”, shprehet ajo.
Ajo konsideron se nuk ka lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka kontraktuar kompani për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.
“Fatkeqësisht termi ‘lobim’ ka mbetur vetëm si term, sepse për arsye tash e tri vite ne nuk kemi pasur lobim sa i përket politikës së jashtme. Do të thotë kemi pasur vetëm stagnim, duke u nisur edhe nga gjendja në veri, e cila është bërë pa dakordim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kemi parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se nuk lobojnë për Kosovën derisa të dakordohen edhe të ulen dhe të zgjidhet situata në veri”, thotë ajo.
Krasniqi shton se situata aktuale po e favorizon Serbinë që të lobojë kundër Kosovës.
“Sa i përket Serbisë, ashtu ka qenë momentumi dhe u bë ngjarja në veri dhe e gjitha shkon në favor të Serbisë, që ajo të lobojë prapë kundër neve. Juve ju kujtohet marrëveshja e Uashingtonit, ku Avdullah Hoti për një vit ka pasur moratorium në lidhje me lobimin, ku e patën quajtur tradhtar partia e cila sot është në pushtet. Do të thotë deri tani ne nuk kemi pasur asnjë progres sa i përket politikës së jashtme, lobimeve dhe njohjeve të reja nga kjo qeveri”, thekson Krasniqi.
Edhe drejtoresha e “Lëvizjes Fol”, Mexhide Demolli shpreh skeptizimin e saj në lidhje me lobimin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Para se të kalojmë tek lobimet, ne duhet të shohim marrëdhëniet se si janë aktualisht mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht janë në gjendjen më të keqe që kanë qenë ndonjëherë që nga paslufta. Dhe për këtë nuk besoj që një kontratë e nënshkruar për lobim të arrijë të bëjë një përmirësim të imazhit të Kosovës përderisa kemi kërkesa të qarta në vazhdimësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi një qeveri e cila ka pasur raste që kanë ofenduar zyrtarë amerikanë dhe kanë pasur një sjellje arrogante karshi kërkesave të tyre. Prandaj, dyshoj që një kontratë lobimi mund të rregullojë diçka më shumë se sa vet qasje e Qeverisë së Kosovës karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Demolli.
Ajo deklaron se Kosova nuk e luksin që të injorojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vërtetë dyshoj shumë që qasja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që t’i bëjë dëm Kosovës. Kemi parë ndër vite se çfarë qasje dhe çfarë ndihmash i kanë ofruar shtetit të Kosovës dhe dyshojmë që të ketë qëllime të këqija prapa kërkesave të tyre. Andaj, gjithmonë duke treguar një nivel shumë më të lartë serioziteti qoftë në negociata apo edhe në bashkëpunime të tjera që mund t’i kenë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka luksin të injorojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë mënyrë si ka bërë deri më tash”, shton ajo.
Muajve të fundit është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kontraktuar dy kompani për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy kompani janë në emër të Afërdita Rakipit dhe Avni Mustafaj. /Kp
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...