Fokus

Konkurrencë e fortë për pozitën e shefit të Agjencisë Antikorrupsion, këta janë 25 kandidatët

Autori: Gazeta inFokus 12:45 | 11 September 2021

Konkurrencë e madhe është duke u zhvilluar për pozitën e drejtorit të Agjencisë së Kosovës Kundër Korrupsionit.

Gazeta Infokus mëson nga burimet e veta se në garë për këtë pozitë janë 25 veta. Prej tyre, 24 janë burra dhe vetëm një është grua.

Në listën të cilën e ka siguruar Infokus-i, figurojnë këta kandidatë: SALI REXHEPI, SADAT LEKIQI, LULZIM XHYMSHITI, ILIR ISLAMI, ADIL BYTYQI, BETIM ELEZAJ, SADRI ABAZI, HALIL CENAJ, SHAIP HAVOLLI, AVDI MUZLIUKAJ, MUHARREM MUSTAFA, EKREM DEMOLLI, ESAD EJUPI, AFRIM ATASHI, FAHRI MAXHUNI, VISAR KRASNIQI, BURIM SADIKU, OSMAN NEZIRI, VALBONA OSMANI, BLERIM KELMENDI, YLL BULESHKAJ, LULZIM ISMAJLI, BASRI KASTRATI, ARTAN MEZRAJA dhe AVDYL JERLIU.

-Advertisement-

Ajo që shihet nga kjo listë është se drejtori aktual i AKK-së, Shaip Havolli, pretendon ta mbetët edhe për një mandat në krye të kësaj agjencie.

Me ligj kërkohet që kandidati për Drejtor të Agjencisë duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të ketë vendbanim të përhershëm në Kosovë; të këtë së paku diplomë universiteti katërvjeçar ose master; të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale; të ketë integritet të lartë moral; si dhe të ketë së paku pesë vite përvojë pune profesionale.

Kandidatët që synojnë pozitën e drejtorit të AKK-së, i nënshtrohen një procesi të verifikimit nga Komisioni për Legjislacion.

Ky komision, pasi t’i ketë menaxhuar procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë, dy prej tyre ia propozon Kuvendit të Kosovës për votim.

Më pas, Kuvendi i Kosovës me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë të votave zgjedh njërin prej kandidatëve të propozuar.

Drejtori zgjidhet për mandat pesë vjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat tjetër.

Paga e tij është në lartësinë e pagës së kryetarit të Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera