Lajme

Konjufca: Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit për destabilitet e lu*të në rajonin tonë

Autori: Gazeta inFokus 22:06 | 24 February 2024

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Vladimir Putinit për destabilitet e luftë në rajon.

Në dyvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, Konjufca ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të nxitur luftë e përçarje. Këtu ka përmendur edhe Serbinë.

“Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqendrim, luftë dhe përçarje”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook.

-Advertisement-

Ai tutje ka shprehur mbështetjen e Kosovës për fitoren e Ukrainës.

“Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”.

Sipas tij, këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime, njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit.

“Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”.

“Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre.  Liri Ukrainës dhe popullit të saj!”, ka përfunduar Konjufca.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera