Konjufca: PAN mund t’i marrë votat për kryeparlamentar me këtë kusht
Autori: Gazeta inFokus 17:09 | 15 August 2017
Me një Qeveri të krijuar nga koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën [PAN], do të dëmtohej shtetësia e Kosovës, demokracia dhe parlamentarizmi. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Ai në intervistë thekson se Vetëvendosja ka hasur në një hezitim nga ana e LDK-së për thellim të bashkëpunimit.
Pyetje: Zoti Konjufca, për më shumë se dy muaj që ka certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, Kosova ende nuk po arrin që të ketë institucione të reja. Janë bërë disa tentime për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por ende nuk ka ndodhur asgjë. Pse po ndodh kjo situatë?
Glauk Konjufca: Këto, në të vërtetë mendoj që nuk ishin as tentime sepse kemi pasur mungesën totale të pranisë të koalicionit PAN në seancat ku ata do të duhej të merrnin pjesë. Pra, po flasim për seancën themeluese të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është seanca e pestë, që u mbajt ditën e djeshme, kurse PAN-i është shfaqur vetëm në ditën e parë, vetëm kur e kanë kryer atë procedurën e betimit të deputetëve. Më pastaj, katër herët e tjera, nuk janë shfaqur fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo na bën të kuptojmë se institucionet janë bllokuar pikërisht për shkak të këtij bojkoti.
Pyetje: Kryetari i partisë politike Aleanca Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka dhënë një, siç është thënë, ultimatum që të veprohet më shpjet për zgjidhjen e problemit për krijimin e institucioneve. Si e shihini ju këtë kërkesë?
Glauk Konjufca: E para, mendoj se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk ka të bëj me koalicionin LAA dhe Lëvizjen Vetëvendosje. I takon koalicionit PAN që ta zgjidhin këtë çështje së brendshmi. Pra, Kadri Veseli tashmë është vërtetuar se nuk do t’i merrte votat për kryetar të Kuvendit. Krejt çka i mbetet koalicionit PAN është që ta ndryshojë kandidatin, një tjetër për kryetar, i cili me shpresë do t’i merrte votat nga Lëvizja Vetëvendosje apo nga koalicioni LAA.
Zoti Pacolli prej fillimi ka dashur të tregojë se grupacionit të cilit ai i përket, e që është brenda koalicionit LAA, nuk është i asimilueshëm brenda atij koalicioni, se e ka një lloj subjektivitetit të vetin, dhe ai është shumë i etur që të tregohet kjo lloj pavarësie në politikë. Prej propozimit të tij për Qeveri gjithëpërfshirëse, e deri tek ky ultimatumi i fundit, vërehet njëfarë lloj pavarësie e grupit të tyre brenda koalicionit LAA.
Mirëpo, me idetë e tyre nuk pajtohem fare. Qeveria gjithëpërfshirëse do të ishte një ide e keqe për Kosovën, do të ishte njëfarë lloj amnistie për keqpërdorimet dhe për keqqeverisjen e deritanishme, kryesisht të dominuar nga PDK-ja. Për ne zgjidhja më e mirë është që PDK-ja të shkonte në opozitë. Pra një zgjidhje, e qeverisjes së ardhshme ku PDK-ja do të shkonte në opozitë, e jo një Qeveri ku PDK-ja do të ishte pjesë, pra PDK-ja do të ishte pjesë e një qeverisje të ardhshme.
Pyetje: Janë zhvilluar disa takime mes liderëve të AAK-së dhe AKR-së. A mendoni se koalicioni i udhëhequr nga LDK-ja është i qëndrueshëm?
Glauk Konjufca: Deri tash janë shfaqur disa mospajtime të brendshme aty. Edhe puna e këtyre deputetëve të cilëve ua ka mësyrë PAN-i për tua kthyer mendjen, nuk janë nga Vetëvendosja por janë nga Lidhja Demokratike, pra janë nga koalicioni LAA. Njëri është nga AKR, tjetra është nga LDK-ja, pra po flitet për Teuta Rugovë dhe Labinot Tahirin. Këta janë ata që kanë pasur takime me zotin Haradinaj, i cili është munduar t’i bind të bëhen pjesë e qeverisjes së ardhshme.
Sa i përket rezultateve unë nuk e di, më sigurt po duket për Teutën, e cila tashmë po duket që është pajtuar që të jetë pjesë e një vendimmarrjeje së bashku me koalicionin PAN. Labinot Tahiri deri më tash e ka mohuar këtë gjë, mirëpo takime ka pasur. Nuk e di, pritet të shihet se çka do të ndodhë në ditë kur ndoshta do t’i jepet rasti një Qeverie që të votohet në Kuvendin e Kosovës.
Pyetje: A ka mundësi që të ketë një bashkëpunim më të fortë në të ardhmen në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së?
Glauk Konjufca: Vetëvendosja është shumë e vullnetshme që të shkohet në këtë drejtim por kemi hasur në një hezitim nga ana e LDK-së për thellim të bashkëpunimit. Ne kemi dhënë vizionin se si do të duhej të dukej Qeveria e ardhshme e Kosovës. Do të ishte më së miri të ndodhte një kombinim në mes të koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ka zgjidhje tjera. Ky është konstelacioni. Kemi tri forca politike kryesore në Kosovë, janë këto të tria PAN-i, LAA dhe Vetëvendosja.
Nëse Vetëvendosja me LDK-në janë të dyja kundër bashkëngjitjes në koalicionin PAN, atëherë mbetet një perspektivë për Qeverinë e ardhshme që të krijohet mes dy forcave tona politike. Por, më habit ky hezitim i LDK-së i javëve të fundit, sidomos i këtyre dy javëve të fundit. Pra, ka qenë një pasivizim total i LDK-së, moskthim i përgjigjeve kur ne i kërkojmë takime, në të cilat do të mund të flisnim për programet, për atë se çka ka nevojë Kosova, për çfarë qeverisje të ardhshme. Në takimin e fundit që kemi pasur, ata kanë insistuar që të mos ketë zgjerim të muhabetit përtej bisedës për seancën themeluese.
Pyetje: Zoti Konjufca, pse po kërkoni që të ndryshohet kandidati i PDK-së për kryetar Kuvendi, kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë personi që dëshiron?
Glauk Konjufca: Ne nuk ja mohojmë atij personi që të kandidojë. Ai do të duhej të kandidonte dhe të dilte në votim. Nuk është fer nga koalicioni PAN që nuk e qet Kadri Veselin në vota, kjo është një strategji për ta bllokuar Kuvendin e Kosovës.
Ne nuk ua mohojmë të drejtën atyre, megjithëse nuk pajtohem fare me vendimin e Gjykatës Kushtetues, duhet të përcaktohemi a ta respektojmë atë vendim apo jo.
Nëse përcaktohemi që ta respektojmë një vendim të tillë deri kur ta ndryshojmë atë, atëherë koalicioni PAN do të duhej të vinte e të shfaqej në seancën e ardhshme në Kuvend dhe propozonte Kadri Veselin për në votë.
Pyetje: I mandatuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka thënë se brenda 10 ditëve Kosova do të ketë institucionet e reja. Ju si mendoni?
Glauk Konjufca: Unë nuk e di se kur kjo do të ndodh, por nëse Qeveria do të krijohej nga koalicioni PAN, atëherë do të kishte kosto të madhe për Kosovën edhe për demokracinë dhe jetën parlamentare në përgjithësi, po edhe për shtetësinë e Kosovës. E para, nga kuptimi i standardeve të demokracisë, bindja me zor e deputetëve apo në shkëmbim të favoreve për ndryshimin e mendjes së tyre, kjo është shumë dëmtuese për demokracinë në Kosovë, aq më tepër kur po flitet për Teuta Rugovën për shembull, dhe rasti i vëllait të saj.
Nëse bën favore në drejtësi, atëherë dëmtohen rëndë edhe proceset ndërkombëtare të cilat na presin, së pari liberalizimi i vizave. T’i krijosh favore në proces gjyqësor një njeriu i cili është me aktakuzë për falsifikim të vizave, unë mendoj që në Kosovë, më së paku pesë vitet e ardhshme do të shtyhej procesi i liberalizmit të vizave për Kosovën. Është një dëm shumë i madh për Kosovën dhe është një dëm shumë i madh kur një njeri me precedent penal, i cili është pikërisht për shkak të falsifikimit të vizave, pra vizat në Kosovë nuk janë të sigurta, e të lirohet nga aktakuza në favor të votimit të Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës nga ana e motrës së tij. Këto do të ishin favore familjare, të cilat e prekin rëndë dhe në themel shtetin e Kosovës.
Në anën tjetër, nëse bëhet me Lisën Serbe dhe me 59 deputetë që i kanë, Lista Serbe shndërrohet në një faktor vendimmarrës brenda Kosovës. Kjo e dëmton shtetndërtimin e Kosovës sepse e fuqizon aq tepër Beogradin në Kosovë, sa që ata nuk do të përtojnë të kërkojnë shumë favore të ndryshme, duke filluar prej kompetencave komunale, e deri te krijimi i “Zajednicës” me kompetenca ekzekutive në Kosovë, ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, po ne e dimë që Gjykata Kushtetues e ka hedhur poshtë.
Ata do të insistojnë për një “Zajednicë”, ashtu origjinal siç është nënshkruar mes Isa Mustafës dhe Aleksandar Vuçiqit, dhe kjo mendoj se e qet Kosovën në një farë lloj situate të pafavorshme, në kuptimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe perspektivës të një shtetndërtimi, tamam kështu të shëndosh, në Republikën e Kosovës. Pra, edhe nëse e shohim, fuqia e Listës Serbe edhe nëse e shohim edhe nga favoret që do të marrin deputetët e caktuar për t’i blerë apo shitur ato, edhe dëmtohet demokracia edhe parlamentarizmi. Po edhe shtetësia e Kosovës mendoj që dobësohet për nga mënyra se si po mendohet të krijohet Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës.
Të tjera
-
Rasti i Lista Srpska në KQZ, Haradinaj për Kurtin e Vuçiqin: Koincidencë apo dakordim, duket po i bëjnë favor njëri-tjetrit
Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga Aleanca pë...
-
Dakaj: E njëjta situatë në vitin 2019, Kryeministri Haradinaj ka thënë se dua të kem furnizim 24 orë të qytetarëve me energji elektrike
Gazetari, Shkëlzen Dakaj i ftuar në emisionin Debat Plus, ka reaguar për mung...
-
Pa rrymë që 5 ditë, kurbetqari i bie pishman që erdhi në Kosovë
Banorët e Dardanisë së Ferizajt nuk kanë rrymë të paktën qe pesë net. Madj...
-
Ironizion Mushkolaj: Sukseset e qeverisë po ‘shpërthejnë’, por nuk po i shohim prej territ!
Analisti i njohur politik, Imer Mushkolaj, ka ironizuar pas situatës së fundi...
-
Kaosi energjetik, Tahiri: Kjo është rikthim në vitin 2000
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik ...
-
25 mijë euro për përfundimin e lëndës për bartjen e pronësisë, arrestohen zyrtarët komunal të Graçanicës
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit...
-
Anulimi i vizitave në mes Kosovës e Serbisë vlerësohen lojëra politike
Kosova i është kundërpërgjigjur shpejt Serbisë pasi ministrit të Punëve të Br...
-
Bislimi bën thirrje të festohet me zemër, jo me ạrmë
Edhe këtë vit Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e duhura për festat e fund...
-
Zogaj: Kosova duhet të krenohet me mbarëvajtjen dhe mekanizmat e zgjedhjeve
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka lavdëru...
-
Deri në gjysmë ore pritje, kjo është gjendja në pikat kufitare me Kosovë
Mërgimtarët ia kanë mësyer Kosovës për pushime. Në hyrje bashkatdhetarët p...
-
Gucati për Kurtin: E kom ditë që ky njeri s’vjen me na vizitu kurrë, Bislimit nuk ia dhashë dorën
Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ka...
-
Kurti: Me Hovenierin, marrëdhënia me ShBA-në ka arritur në nivele të reja
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin...