Lajme

Konjufca: Në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria

Autori: Gazeta inFokus 11:09 | 04 April 2024

Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vjetët e fundit, ndërsa Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të luftës tonë për çlirim nga Serbia. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën solemne me rastin e 25-vjetorit të Betejës së Koshares.

Kryeparlamentari theksoi se ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, Beteja e Kosharës ia dha namin UÇK-së, si një ushtri e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbojugosllave, duke e bërë atë të paaftë për të garantuar kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jemi mbledhur për ta kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së dhe për të nderuar të gjithë heronjtë e saj në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138. Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati një shekullore të kombit shqiptar për çlirim e bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të UÇK-së”, ka theksuar Konjufca.

-Advertisement-

Tutje kryeparlamentari tha se shembja e gurit të kufirit me çizmet e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj ishte njëra nga ngjarjet më historike të luftës çlirimtare, derisa theksoi se në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, Beteja e Koshares do të vlerësohet së paku për tri aspekte tejet të veçanta të saj.

“E para kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së, por po ashtu edhe beteja më e përgjakshme me 111 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë të cilët ishin në front dhe në luftë të drejtpërdrejt kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Kjo betejë ia ndërrojë fizionominë UÇK-së si një ushtri tashmë e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë e Serbisë. Pra, beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta, të një beteje të lavdishme, e realizuar si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK-ja”, ka shtuar Konjufca.

Aspekti i dytë sipas Konjufcës që këtë betejë e bën të veçantë është fakti se ajo shënon një përbashkim të lartë kombëtar.

“Një gjithëpërfshirje e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke e përfshirë edhe mërgatën tonë e bën këtë betejë njërën nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës, sepse në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria. Dhe e treta Beteja e Koshares është një nga betejat më historike të UÇK-së edhe për faktin se ajo u zhvillua edhe si një operacion krahë për krahë me aleancën më të fuqishme demokratike të botës, me NATO-n për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar. E kjo seancë po mbahet sot kur është 75 vjetori i themelimit të NATO-s. Pra, Beteja e Koshares është edhe një betejë me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë e luftuan dhe ranë edhe tre dëshmorë të huaj, por edhe sepse kjo betejë ja humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve, e po ashtu ia dha goditjen përfundimtare Jugosllavisë e Serbisë”, ka nënvizuar Konjufca.

Në fund ai tha se shënimi i 25-vjetorit të Betejës së Koshares është po ashtu një moment i rëndësishëm i kujtesës dhe reflektimit se rruga jonë për pavarësi dhe shtetësi është para se gjithash rezultat i sakrificës së popullit dhe heroizmit të luftëtarëve e komandantëve të UÇK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera