Lajme

Konjufca: Me projektin Law Data, niveli i demokracisë dhe transparencës është më i lartë

Autori: Gazeta inFokus 13:46 | 23 November 2021

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u prezantua projekti “Zhvillimi i Shërbimit Informativ Ligjor (Law Data).

Në njoftimin për media thuhet se qëllimi i këtij projekti, financues i të cilit është Ministria e Jashtme e Norvegjisë, është fuqizimi dhe promovimi i transparencës dhe efikasitetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe institucioneve të tjera shtetërore të sundimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë prezantim mori pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, zyrtarë të Kuvendit dhe të institucioneve tjera të Republikës së Kosovës.

-Advertisement-

Konjufca tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, duke shprehur mirënjohje dhe duke vlerësuar lart ndihmën e shtetit të Norvegjisë për Kosovën.

Sipas kryetarit Konjufca ky projekt në esencë përputhet me rolin e Kuvendit, meqë Kuvendi ka një rol qendror në zhvillimet politike prej miratimit të ligjeve e deri te mbikëqyrja e Qeverisë.

“Kuvendi është shtëpi e qytetarëve, ngase të zgjedhurit e tyre janë këtu dhe mendoj se duhet të jetë një shtëpi me dyer të hapura”, tha kryetari Glauk Konjufca, duke shtuar se ky projekt arrin të përputhet me esencën që e ka, e ajo është transparenca.

Ndërsa ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, tha se ky projekt ka për qëllim që të rrisë transparencën e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm të Kuvendit, pasi që, siç tha ai, ky projekt do të përfshihet edhe në institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

“Ky është një format i ri që u mundëson monitorimin e ligjeve të gjithë atyre që janë të interesuar, rëndësinë dhe rolin e tyre në jetën e qytetarëve”, theksoi ambasadori Grøndahl.

Gjatë prezantimit, menaxheri i projektit Kare Vollan tregoi se si do të funksionojë Shërbimi Informativ Ligjor. Ai tha se me anë të këtij shërbimi kushdo që dëshiron mund të shoh ndryshimet e mundshme që i bëhen një ligji. Ky projekt, sipas tij, do të realizohet edhe në Zyrën e Kryeministrit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore. ​

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera