Lajme

Konjufca: Gjak e plagë të pashërueshme, ky është çmimi i shtrenjtë i lirisë që sot e gëzojmë

Autori: Gazeta inFokus 10:43 | 24 March 2022

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, ka thënë se sot në çdo përvjetor lavide, krahas kërkimit të drejtësisë, kujtimi e nderimi për dëshmorët, martirët dhe luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jenë të përjetshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca shkroi: “Vrasje e masakra shfarosëse, gjak e plagë të pashërueshme, vuajtje e dhimbje të paharrueshme – ky është çmimi i shtrenjtë i lirisë që sot e gëzojmë”.
Më poshtë postimi i plotë:

Nga 24 deri më 31 mars të vitit 1999, në harkun kohor prej vetëm një jave, forcat pushtuese serbe vranë dhe masakruan më shumë se 1100 civilë të pambrojtur shqiptarë në Kotlinë të Kaqanikut, Keqekollë e Matiqan të Prishtinës, Podujevë, Gjakovë, Celinë, Bellacërrkë e Pastaselë të Rahovecit, Randobravë e Landovicë të Prizrenit, Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, Llashticë të Gjilanit, Burim të Malishevës, Mitrovicë, Dumnicë të Epërme të Vushtrrisë, Izbicë të Skënderajt, Beleg të Deçanit, Dardhishtë të Obiliqit, Padalishtë të Istogut, Mamushë dhe Suharekë.

-Advertisement-

Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë me armatim të rëndë rrethonin, bombardonin, digjnin, plaçkisnin dhe shkatërronin fshatra e qytete të tëra gjithandej nëpër Kosovë.

Vrasje e masakra shfarosese, gjak e plagë të pashërueshme, vuajtje e dhimbje të paharrueshme – ky është çmimi i shtrenjtë i lirisë që sot e gëzojmë. Por po aq e vlefshme sa liria është edhe drejtësia, kaq kohë e munguar. Prandaj, sot dhe në çdo përvjetor lavdie, krahas kërkimit të drejtësisë, kujtimi e nderimi për dëshmorët, martirët dhe luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jenë të përjetshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera