Fokus

Konflikti i interesit, Antikorrupsioni bllokohet me nipin e Besnik Bislimit

Autori: L.A 12:13 | 02 September 2021

Agjencia Kundër Korrupsionit është bllokuar me rastin e Gëzim Tosunit, i cili dyshohet se është në konflikt interesi për shkak të mbajtjes së dy pozitave në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

Pos që është anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ai është edhe anëtar i Bordit për nostrifikimin e diplomave. Janë bërë mbi dy muaj që kur Gazeta Infokus ka raportuar për këtë rast. Ka qenë vetë zëvendësministri Dukagjin Pupovci, ai që më pas e ka konfirmuar se për këtë rast i janë drejtuar AKK-së.

Por, praktikisht kësaj Agjencie po i nevojitet më shumë se dy muaj për të marrë vendim nëse Tosuni është konflikt interesi apo jo.

-Advertisement-

Gazeta Infokus ka provuar të kontaktojë me Agjencinë Kundër Korrupsionit, por nuk kanë marr përgjigje.

Po ashtu, gazeta ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, kjo e fundit për Infokus ka bërë të ditur se ende nuk kanë pranuar ndonjë vendim.

“Deri tani, MASHTI nuk ka pranuar ndonjë vendim të Agjencisë Kundër Korrupsionit në lidhje me këtë rast. Sapo të kemi do të veprojmë konform vendimit”, thuhet në përgjigjen e MASHT.

Infokus pati kontaktuar me Tosunin për të marrë një shpjegim nga ana e tij në lidhje me këtë çështje, por ai nuk ka shprehur interesim për të folur.

“Nuk mund të përgjigjem sepse jam i zënë”, ka qenë përgjigja e shkurtër e tij për Infokusin.

Me Ligjin për Arsimin e Lartë është e definuar qartë se anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk duhet të jenë të punësuar nga asnjë bartës i arsimit të lartë në Kosovë.

Anëtarët e këtij këshilli janë të obliguar të japin edhe një deklaratë nën betim se do ta kryejnë me nder, besnikëri, drejtësi dhe pa anim, detyrën e besuar. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera