Lajme

Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë

Autori: Gazeta inFokus 13:10 | 13 November 2021

Është konfirmuar aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Gjakovës, Bernard Frrokaj.

Frrokaj po akuzohet se ka bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shaqir Zika tha se i akuzuari Frrokaj dhe mbrojtësi i tij nuk kanë paraqitur fare kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës brenda afatit ligjor.

-Advertisement-

Në këto rrethana, kjo aktakuzë është konfirmuar dhe sipas gjykatësit Zika, tashmë pritet të formohet trupi gjykues dhe të caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 27 shtator të këtij viti, i akuzuari Frrokaj nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës, më 28 gusht 2019, Frrokaj në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjakovës, në kohë të pacaktuar, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Valbona Kuqi.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që e merr vendimin e 28 gushtit 2019 për transferim të përhershëm të mësimdhënëses Varjeta Syla në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas aktakuzës, po ashtu ky vendim është marrë nga ana e tij rreth një vit para pensionimit të ish-mësimdhënëse Mervete Xerxa, me të cilin vendim ka shkelur seriozisht të drejtat e parapara nga Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë për të dëmtuarën Valbona Kuqi, e cila ishte duke ligjëruar si mësimdhënëse-zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e lartcekur, ku me vendim të 13 korrikut 2020 e sistemon ne vendin e punës të Varjeta Sylës në fshatin Hereq të Gjakovës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër penale dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera