Lajme

Koncert në kohë pandemie në Barcelonë, 5000 pjesëmarrësit testohen ndaj Covid 19

Autori: Gazeta inFokus 14:59 | 29 March 2021

Numri i infeksioneve të reja po rritet në shumë vende të Evropës, përfshirë edhe Spanjën. Megjithatë, në Barcelonë u mbajt një koncert me 5000 spektatorë të cilët, u testuan përpara që të gjithë.

“Këtë mund ta përjetoni vetëm sonte, ndaj shijojeni“, iu drejtua publikut moderatorja e koncertit. Projekti pilot u mbajt në një sallë me kapacitetin e 24 mijë personave. Sipas organizatorëve, kjo ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji që nga fillimi i pandemisë. Qëllimi ishte të testohej nëse një ngjarje e tillë mund të jetë e sigurt pavarësisht koronavirusit dhe nëse mund të ketë masa të mjaftueshme parandaluese.

Mbrëmja u konsiderua një sukses nga fansat. “Ishte e mrekullueshme. Në fakt ishte edhe më mirë sesa para koronavirusit, të gjithë ishin tepër të lumtur sepse më në fund mund të ishin përsëri në një koncert. Shumë vallëzuan dhe kënduan edhe me maska“, tha një vizitor për agjencinë e lajmeve DPA.

Për eventin u morën masa të rrepta mbrojtëse, të cilat u monitoruan nga një ekip mjekësh. Të gjithë spektatorëve iu desh të bënin një test të shpejtë të shtunën nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite, në një nga tre qendrat speciale për teste. Vetëm gjashtë nga 5000 testet ishin pozitive, shkruan gazeta “La Vanguardia”.

Sipas organizatorëve, vetëm vizitorët e regjistruar të moshës 18 dhe 65 vjeç që kishin një smartphone të ri u lejuan të shkarkonin një program për rezultatin e testit. Për më tepër, shikuesit duhej të pranonin që të dhënat e tyre të krahasoheshin me ato të autoriteteve shëndetësore.

Të tjera