Kulturë

Komuniteti artistik: Emri i Nexhmije Pagarushës është i pavdekshëm

Autori: Gazeta inFokus 12:46 | 08 February 2020

Komuniteti artistik në Kosovë ka vizituar familjen e Nexhmije Pagarushës të cilët po presin miq e bashkëpunëtorë të bilbilit të këngës shqipe, të cilëve u kanë shprehur ngushëllime dhe kanë nderuar veprën e të ndjerës.

Nga ata u tha se Nexhmije Pagarusha është e pavdekshme dhe vepra e saj do të kujtohet gjithmonë.

Këngëtarja Shkurte Fejza, me lot në sy u mundua të flasë për Pagarushën, për të cilën tha se ka lënë prapa këngët më të bukura shqipe.

-Advertisement-

“Është shumë e dhimbshme kur ikin artistët, shuhet një emër dhe një artiste me përmasa siç ishte Nexhmija, mirëpo emri i saj është i pavdekshëm, i ka lënë kombit këngët më të bukura, andaj gjithmonë do ta kujtojmë”, tha ajo.

Remzije Osmani, këngëtarja e cila dikur ishte nderuar me një çmim nga Nexhmije Pagarusha, tha se vdekja e bilbilit të këngës shqipe është humbje për të gjithë shqipfolësit.

“Kam pasur rastin të marr një çmim nga vet Nexhmije Pagarusha në vitin ‘92, kam marrë çmimin Nexhmije Pagarusha në Festivalin e Këngës Shqipe, kështu që ka qenë privilegj dhe nder shumë i madh për mua që edhe sot e mbaj një çmim nga vet dora e saj”, tha Osmani.

Këngëtarë e artistë të tjerë u nënshkruan në librin e kujtimeve për Nexhmije Pagarushën dhe ngushëlluan familjarët të cilët po presin në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Safete Mustafa, nga Motrat Mustafa, tha se Nexhmije Pagarusha u nda vetëm fizikisht, meqë sipas tyre, ajo do të jetë përjetësisht në zemrat e tyre.

“Sot është një ditë jo e mirë për të gjithë shqiptarët, një humbe shumë e madhe, ka qenë zëri më i mirë i shqiptarisë, ngushëllime gjithë familjes, kolegëve e gjithë shqiptarëve kudo qe janë”, tha Safetja.

“Në fizikisht po ndahemi nga zonja e madhe Nexhmije Pagarusha por përjetësisht ajo do të jetë në zemrat e gjithë shqiptarëve, këngët e saj nuk do të vdesin kurrë”, tha Sahide Mustafa.

Familjarët e Nexhmije Pagarushës kanë hapur dyert në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku sot gjatë gjithë ditës do të presin miq e bashkëpunëtorë për ngushëllime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera