Lajme

Komunat në veri edhe me drejtorë serbë, qytetarët kryejnë dhjetëra shërbime

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 08 July 2023

Tri komunat në veri të vendit tashmë kanë edhe drejtorë nga radhët e komunitetit serbë, gjersa vetëm komuna e Zubin Potokut ka drejtorët shqiptarë, pasi siç ka thënë kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri serbët nuk po guxojnë të jenë pjesë e qeverisjes lokale.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin tha se ka zhvilluar takime të shumta me disa pretendentë për drejtorë në këtë komunë, por siç u shpreh ai asnjëri nuk ka guxuar që ta marr detyrën përsipër.

Zeqiri po ashtu u shpreh se tashmë i ka caktuar të gjithë drejtorët në drejtoritë e komunës.

-Advertisement-

“I kam krye drejtorët, janë shqiptarë. Kam prit nga komuniteti serbë, por një pjesë e tyre me të cilën kam fol s’po guxojnë me marr përgjegjësinë. Disa gjëra i kemi qit në binar mirë. Në baza ditore me dhjetëra qytetarë të komunitetit serbë kryejnë shërbime, ose të pasaportave, letërnjoftime, të patentë shoferit, etj”, ka thënë Zeqiri.

Po ashtu, edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, për Telegrafin tha se i ka kryer pothuajse të gjithë emërimet e drejtorëve, me përjashtim të dy drejtorive.

Ai tha se në këtë komunë nga komuniteti serb e ka një drejtoresh, ndërsa nënkryetaren e kësaj komune e ka shkarkuar.

“Te ne lejohen 13 drejtori. 11 i kemi përmbush po presim dhe dy tjera. Kabinetin e kemi plotësuar. Në një drejtori është emëruar një drejtoreshë nga komuniteti serb, e të tjerët janë shqiptarë. Mirë po shkon puna, nuk kemi ndonjë problem”, ka thënë shkurt Peci.

Peci përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook kishte bërë të ditur edhe arsyet e shkarkimit të Pantoviq.

“Sot kam vendosur që ta shkarkoj nga detyra nënkryetaren e komunës, zonjën Sladjana Pantovic. Ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave nga ana e saj, tejkalimit të kompetencave, si dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës.

Pavarësisht kësaj, unë do të vazhdoj të punoj dhe shërbej bazuar në obligimet, detyrat dhe kompetencat e mia si kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, pa dallim”, ka shkruar Peci në Facebook.

Telegrafi po ashtu ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) për emërimet e drejtorëve në këto komuna.

Përmes një përgjigje elektronike nga kjo ministri thanë se kryetarët e komunave veriore kanë emëruar drejtorë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

“Një nga shembujt është kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq i cili siç edhe ka njoftuar përmes faqes së tij publike në rrjetin social Facebook ka emëruar drejtorë nga komuniteti shqiptar, serb, boshnjak dhe egjiptian”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Në këtë komunë nënkryetare është emëruar Katarina Agjançiq.

Edhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, këtë javë ka emëruar katër drejtorë komunalë nga komuniteti serb.

Violeta Sakiq, Nikola Radomiroviq, Nenad Radosavljeviq dhe Miroslav Miniq do të jenë pjesë e kabinetit të kryetarit Hetemi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera