Lajme

Komuna konfirmon dorëheqjen e ekipit menaxhues të Arkitektit të Kryeqytetit: Patën ngarkesë të madhe

Autori: Gazeta inFokus 15:43 | 17 July 2024

Komuna e Prishtinës ka konfirmuar dorëheqjen e ekipit menaxhues të tenderit 12 milionësh të Arkitektit të Kryeqytetit që po hetohet nga Prokuroria Speciale.

Sipas Komunës së Prishtinës “Menaxheri dhe mbikëqyrësit e kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë kërkuar të lirohen nga kjo përgjegjësi shtesë që kanë patur për shkak të mbingarkesës në punë”.

“Dy prej tyre janë shefa të sektorëve me shumë përgjegjësi dhe detyra në sektorët ligjor dhe të planifikimit, pozita këto me ngarkesë të madhe”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës për Reporterin.

-Advertisement-

Tutje, Komuna që drejtohet nga Përparim Rama bën të ditur se puna në SHAK do të vazhdojë dhe do të emërohet ekipi i ri menaxhues. Madje, sipas Komunës nga 3, ekipi menaxhues do të rritet në pesë zyrtarë.

“Për më tepër, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka të angazhuar dhjetëra arkitektë e staf dhe është duke punuar paralelisht në rreth 35 projekte që e ka bërë të pamundur për tre zyrtarët në fjalë të mbikëqyrin punën e këtij Shërbimi. Prandaj, ne jemi në proces të emërimeve të reja dhe të zgjerimit të ekipit menaxhues dhe mbikëqyrës të Shërbimit të Arkitektit nga tre në pesë zyrtarë. Posa të përfundojë procesi dhe të finalizohen emërimet do të ju informojmë për ekipin e ri menaxhues dhe mbikëqyrës të këtij Shërbimi”, njofton Komuna e Prishtinës.

Siç raportoi sot gazeta online Reporteri.net, dorëheqja e ekipit menaxhues nga menaxhimi i kontratës 12 milionëshe është njoftuar e parevokueshme nga ana e tyre me 4 qershor 2024. Dy javë para se Prokuroria e Shtetit të njoftojë se tenderi po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Përparim Rama, dyshohet se kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” e lidhi me një kompani të afërt me Ramën, duke favorizuar përmes manipulimit të qëllimshëm të procesit tenderues.

Në këtë tender fitues kishte dalur konzerciumi “Anarch” dhe “Ardi Ç”, e që thuhet se është në pronësi të mikut të Ramës, Astrit Nixhës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera