Lajme

Komuna e Prishtinës sot la pa kifle dhe qumësht nxënësit

Autori: Gazeta inFokus 13:27 | 22 June 2017

Kiflet dhe qumështi nuk janë  shpërndarë sot në shkollat fillore të Prishtinës.

Kompania“Pramium Bakery” e cila bënë prodhimin e kifleve, e që shpërndanë edhe qumështin nëpër shkolla, të enjten nuk e ka dërguar asnjërin produkt në shkollat e Prishtinës.

Remzije Berisha, drejtoresha e shkollë “Naim Frashëri” ka thënë se sot nuk kanë pranuar kifle në shkollën e tyre. “Sot nuk kanë ardhur. Kam thirr në kompaninë furnizuese. Më  kanë thënë se Komuna u ka thënë se sot të mos shpërndahen”, tha Berisha për lajmi.net.

-Advertisement-

Edhe Skënder Llalloshi, drejtor në shkollën “Gjergj Fishta” ka thënë se nuk kanë pranuar kifle. “Jo sot nuk paskan ardhur, nuk e di pse. Ndoshta do të vinë në ndërrimin e dytë”, tha Llaloshi.

Fisnik Thaçi, drejtori i shkollës “Elena Gjika” nuk ka qenë i sigurt nëse kanë shkuar apo jo shujtat në shkollën e tyre. “Faturat e kifleve kanë ardhur, për kiflet nuk e di njëherë, me siguri duhet të kenë ardhur edhe ato, pasi kanë ardhur faturat, tash shohë”, tha Thaçi nëpërmjet telefonit.

Valon Voci, drejtor në kompaninë “Pramium Bakery” e ka konfirmuar për lajmi.net mos shpërndarjen e shujtave.

“Sot nuk e kemi shpërndarë kifle, por as qumësht meqë ne e shpërndajmë edhe qumështin. Kjo është bërë më kërkesë të Komunës së Prishtinës. Në Komunë na kanë thënë se sot nuk ka nevojë të bëhet shpërndarja pasi sot është dita e fundit e mësimit, pra sot kanë me i marr vetëm librezat”, tha Voci.

Megjithëkëtë, nxënësit e shkollave fillore kanë mbajtur mësim në të gjitha shkollat e Prishtinës dhe notat u janë kumtuar vetëm një pjesë të tyre. Mësim do të këtë edhe nesër.

Lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga drejtoresha e Komunës së Prishtinës, Arberie Nagavci, por punonjës në zyrën e saj kanë thënë se nuk ndodhet në Komunë. /Lajmi.net/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera