Fokus

Komuna e Podujevës aktivitet kulturor e quan edhe transmetimin e seancave të Kuvendit dhe debateve me qytetarë, jep 40 mijë euro

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 03 July 2024

Javën e kaluar Komuna e Podujevës në krye me Shpejtim Bulliqin i dha hiq më pak se 40 mijë euro një grupi të operatorëve ekonomikë për organizimin e aktiviteteve kulturore.

Konkretisht vlera e përgjithshme e kësaj kontratë me titulin “Organizimi i aktiviteteve kulturore”, është 37 mijë e 180 euro e nënshkruar me “TV LLAPI SH.P.K” dhe “FIBER NET SH.P.K.”.

E Komuna e Podujevës ka dhënë një përgjigje të çuditshme kur është pyetur nga Gazeta Infokus se për çfarë aktivitete kulturore bëhet fjalë.

-Advertisement-

Kjo komunë aktivitet kulturor po e konsideron edhe transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal dhe të debateve me qytetarë.

“- Aktivitetet për të cilat do të ofrojë shërbime Grupi i Operatorëve Ekonomikë në fjalë janë: Transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjeve të Kuvendit Komunal (që është edhe obligim ligjor transmetimi i tyre), Transmetimi i takimeve dhe debateve me qytetarë, Përcjellja dhe transmetimi i manifestimeve dhe ngjarjeve tradicionale kulturore si dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi për komunën sipas kërkesës së Autoritetit Kontraktues; Teknikë e zërimit për ngjarje dhe aktivitete më të vogla, deri 1000 ëat, për nevojat e ndryshme të DKRS-së dhe drejtorive të tjera; Realizimi i videove dhe spoteve promovuese; Bina me diomensione 8×6 metra për ambient të hapur dhe të mbyllur, me elemente përcjellëse, siç janë ndriçimi i binës dhe prapavija e binës; Përcjellja me ekran LED për nevoja të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me dimensione 5×3 metra”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Podujevës për Infokus.

Ani pse kompanitë do të paguhen veçantë për secilin shërbim që do të kërkohet nga komuna, kontrata ka një shifër të caktuar monetare.

Në bazë të kërkesës së komunës do të varet edhe çmimi i shërbimit për të cilin do të paguhet grupi i operatorëve ekonomikë.

“Kontrata me këtë Grup të OE-ve është për një periudhë njëvjeçare (12 muaj). Sipas kontratës ofrimi i këtyre shërbimeve do të bëhet vetëm sipas kërkesës që e bën Komuna e Podujevës. E rrjedhimisht kjo nënkupton edhe pagesën. Pra, Kompania do të paguhet vetëm për shërbimin e kërkuar nga vetë Komuna, kurdo që Autoriteti Kontraktues e sheh të arsyeshme një gjë të tillë. Sa i përket çmimit kjo varet se çka kërkon Komuna nga Kompania në fjalë (bazuar gjithnjë sipas kontratës), si p.sh. a e kërkon zërimin, ndriçimin, binën, xhirimin, etj. Dhe secili shërbim e ka çmimin e caktuar. Bazuar në ato shërbime që kërkohen nga Komuna dhe çmimin e atyre shërbimeve, do të bëhet edhe pagesa”, thuhet në përgjigje.

Fillimisht vlera e parashikuar e kontratës ishte 40 mijë euro më pas sipas vlerësimit të zyrës për prokurim, në dokument thuhet se tenderi iu dha konsorciumit më të përgjegjshëm me çmimin më të ulët prej 37 mijë e 180 euro./Gazeta Infokus/

LEXO EDHE: Shpejtim Bulliqi u jep afro 40 mijë euro dy kompanive për organizimin e aktiviteteve kulturore

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera