Lajme

Komuna e Lipjanit shkelë rregullat për lejet e ndërtimeve dhe shfrytëzimit të pronave

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 24 June 2017
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2016 ka publikuar disa të gjetura të cilat tregojnë se në Komunën e Lipjanit ka pasur shkelje me lejet për shfrytëzim të pronave, lejet e ndërtimit dhe në kontrollet e qiradhënieve komunale.Në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna nuk ka arritur të verifikojë pronat e paluajtshme për shkak të mungesës së të anketurve në terren, përcjellë AktivPress.

“Komuna nuk ka arrit t’i kryej verifikimet e 1/3 së pronave të paluajtshme, siç kërkohet me Ligjin për tatimin në pronën të paluajtshme nr. 03/L-204 dhe udhëzimin administrativ në fuqi. Sipas zyrtarëve komunal, mos verifikimi i pronës ka ndodhur për shkak të mungesës të anketuesve në terren për verifikim të pronave”, thuhet në raport.

Problematika tjetër qëndron tek kontrollet në qiradhëniet komunale. Sipas të gjeturave, edhe pse komuna u ka ndërprerë kontratat qiramarrësve, ata ende shfrytëzojnë lokalet e komunës.

-Advertisement-

“Nga gjashtë (6) mostrat e testuara për pronat e dhëna me qira kemi vërejtur se katër (4) obligues nuk i kishin kryer obligimet ndaj komunës për pronën që shfrytëzojnë sipas kontratës. Obligimi për këta shfrytëzues ishte 38,168€. Menaxhmentit nuk kishte ndërmarr veprimet e duhura për t’i obliguar këta obligues që t’ju përmbahen kontratave të qirasë të lidhura me komunën. Edhepse në dy raste komuna ju kishte shkëput kontratat qiramarrësit ata akoma shfrytëzojnë lokalet e komunës”, konstaton ZKA.

Komuna e Lipjanit për vitin 2016 ka aplikuar tarifë më të ulët për leje të ndërtimit sesa që i kishte dhënë lejen Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo sipas ZKA-së, ka sjellë nënvlerësim të të hyrave në vlerë 14 mijë e 396 euro nga ana e Komunës.

“Komuna me 11.12.2014 kishte kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për shqyrtimin lidhur me caktimin e taksës administrative për leje ndërtimore dhe tarifës së densitetit prej 2.77€ për m², për lejet e reja. MMPH iu kishte përgjigjur pozitivisht komunës për taksën administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit. Ne kemi testuar gjashtë (6) mostra nga të hyrat e lejeve ndërtimore dhe kemi identifikuar se në gjashtë (6) raste është lëshuar leja e ndërtimit nga drejtoria e urbanizmit, duke faturuar 2.30€/m², sipas rregullores së vjetër. Komuna për gjashtë (6) rastet e testuara ka nënvlerësuar të hyrat në shumë prej 14,396€”, thuhet në raport të auditimit.

E sikur të mos mjaftonin këto parregullësi, Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2016, kishte  lëshuar leje ndërtimi për kompanitë, para pagesës.

“Në procesin e auditimit kemi rishikuar gjashtë (6) mostra lidhur me përllogaritjen e taksës komunale për leje të ndërtimit. Në një mostër identifikuam se përllogaritja e taksës administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit ishte bërë më tepër për shumën prej 1,188€.

Në një rast ishte lëshuar leja e ndërtimit nga drejtoria e urbanizmit për ndërtim, pastaj është bërë pagesa për leje të ndërtimit nga ana e aplikuesve”, vlerëson raporti i auditimit.

Në raport të ZKA-së thuhet se, “Sipas ligjit për ndërtim nr. 04/L-110 neni 21 paragrafi 3 theksohet se nëse aplikuesi ka paraqitur dëshmi për pagesën e taksës së lejes ndërtimore, atëherë organi kompetent e lëshon lejen e ndërtimit”./AktivPress/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera