Lajme

Komuna e Klinës blen një thes miell 40 centë

Autori: Gazeta inFokus 21:30 | 14 July 2017

Komuna e Klinës ka pranuar një ofertë të furnizimit me artikuj ushqimor me çmime të pa dëgjuara më parë.

25 kilogramë miell për nevoja të Komunës së Klinës janë shitur me çmim jashtëzakonisht të ulët, vetëm  0.40 centë dhe një kilogram kafe për 1 euro, përmes tenderit që ka dhënë kjo komunë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Komunën e Klinës që të kërkojë sqarime nga operatori ekonomik që të mos bie pre e mashtrimeve për fitime të tenderëve.

-Advertisement-

“Në kontratën e nënshkruar ‘Furnizimi me Artikuj Ushqimorë të Konsumit të Përditshëm për Çerdhe dhe Institucione në Varësi të Komunës’ me vlerë 43,996€, operatori fitues kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta për dy artikuj. Artikujt me çmime jonormalisht të ulëta ishin: mielli 25 kg me çmim 0.40€, dhe 1 kg kafe me çmim 1€. Komuna nuk kishte kërkuar nga OE sqarime shtesë në lidhje me çmimet e ofruara”, thuhet në raportin e auditorit

Klina po ashtu është treguar neglizhente për t’i mbajtur përgjegjës fituesit e tenderëve në kryerjen e punëve për të cilat janë kontraktuar.
ZKA-ja ka gjetur se një operator ekonomik që ka fituar tender nga komuna ka vonuar punimet për 18 muaj dhe nuk është gjobitur për këtë.

“Te kontrata ‘Ndërtimi i Kanalizimit në Budisalc’ kishte vonesa në realizimin e punimeve nga kontraktuesi, por organi mbikëqyrës apo dhe menaxheri i projektit nuk i kishte raportuar vonesat prej 18 muaj tek zyrtari i prokurimit në mënyrë që të mundësohet aplikimi i penaleve për çdo ditë të vonuar sipas kushteve të kontratës”, thuhet në raportin e auditorit.

Një tender tjetër i dhënë nga kjo komunë nuk u plotësua tërësisht me dokumentacion nga operatori fitues ekonomik.
Ky operator nuk kishte ofruar dëshmitë e çmimeve për mallrat ose shërbimet e blera përkundër që parashihet se çmimi i ofrimit të këtyre artikujve të jetë 5 deri 15 për qind mbi çmimin e blerjes.

“Në kontratën për ‘Servisim dhe Mirëmbajtje të Automjeteve Zyrtare’ çmimi për ndërrimin e pjesëve, ishte paraparë 5-15% mbi çmimin blerës të artikullit me të cilin është furnizuar OE. Për pagesën në vlerë 1,313€, ne nuk kemi gjetur dëshmitë e çmimeve me të cilat është furnizuar OE”, thuhet në raportin e auditorit.
Për të gjitha këto gjetje, ZKA-ja ka dhënë rekomandime të prioritetit të lartë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
-Advertisement-

Të tjera