Lajme

Komuna e Ferizajt: Nxënësit po bëjnë organizime të jashtëligjshme, s’mbajmë përgjegjësi

Autori: Gazeta inFokus 15:47 | 12 January 2022

Komuna e Ferizajt i ka cilësuar të jashtëligjshme organizimet e paralajmëruara nga nxënësit e shkollave të mesme si “parambrëmja e maturës”, shkruan Gazeta Infokus.

Në një njoftim të kësaj komune, thuhet se këto organizime nuk e kanë mbështetjen e Drejtorisë së Arsimit, mësimdhënësve e drejtorëve të shkollave, pasi ato bien ndesh me masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, njofton opinionin publik, prindërit, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit si dhe nxënësit, se organizimet jashtë arsimore, të paralajmëruara së fundmi nga disa nxënës, të njohura si “parambrëmje e maturës”, janë organizime të jashtëligjshme, private, pra jo institucionale dhe si të tilla, nuk kanë mbështetjen dhe nuk janë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, as nga mësimdhënësit dhe as drejtuesit e shkollave. Rrjedhimisht, organizimet e tilla, bien në kundërshtim edhe me masat e veçanta të mbrojtjes nga pandemia COVID-19, përkatësisht pikën 24 të vendimit për masat mbrojtëse ndaj COVID-19”, thuhet në njoftim.

Komuna e Ferizajt njofton prindërit se institucionet lokale të arsimit “nuk bartin përgjegjësinë për rrjedhjen e këtyre ngjarjeve”.

“Pra, njoftojmë prindërit, se organizimet e tilla nuk janë organizime institucionale, rrjedhimisht institucionet lokale të arsimit, nuk bartin përgjegjësinë për rrjedhën e këtyre ngjarjeve. Tashmë, Drejtoria e Arsimit, pas identifikimit të organizatorëve, një grupi të nxënësve, ka njoftuar edhe drejtuesit e shkollave dhe organet shkollore që të bartin këtë mesazh tek nxënësit dhe prindërit”, thuhet në këtë njoftim.

Institucionet komunale u bëjnë apel organeve të sigurisë që t’i ndjekin nga afër këto organizime dhe “të veprojnë konform legjislacionit në fuqi”./Gazeta Infokus/

Të tjera