Kompania Trump përballet me gjyq për taksat ndërsa rriten problemet e tij ligjore
Autori: Gazeta inFokus 08:10 | 21 October 2022
Kompania e familjes së ish-presidentit Donald Trump do të përballet me një proces gjyqësor lidhur me akuza për mashtrim fiskal në Nju Jork duke filluar nga java e ardhshme që mund të përfundojë me vendosje gjobash dhe të komplikojë më tej aftësinë e firmës së pasurive të paluajtshme për të bërë biznes, ndërsa problemet ligjore të ish-presidentit amerikan rriten.
Në korrik të vitit 2021, zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit akuzoi Organizatën Trump dhe shefin e saj të atëhershëm të financave Allen Weisselberg për mashtrimin e autoriteteve tatimore duke u dhënë përfitime “që nuk ishin përfshirë në dokumenta” për drejtuesit e kompanisë që nga viti 2005, duke lejuar disa punonjës të paraqesin një shifër më të ulët për kompensimin e tyre të taksueshëm dhe duke mundësuar kompaninë që t’iu shmanget taksave të pagave.
Zoti Weisselberg, i cili ka punuar për ish-presidentin Trump për gjysmë shekulli, deklaroi fajësinë në gusht për akuzat se ai kishte fshehur 1.76 milionë dollarë të ardhura. Marrëveshja e tij për pranimin e fajësisë kërkon që ai të dëshmojë në gjyqin kundër Organizatës Trump, e cila ka në pronësi hotele, fusha golfi dhe pasuri të tjera të paluajtshme në mbarë botën.
Përzgjedhja e jurisë është planifikuar të fillojë të hënën në gjykatën shtetërore të Manhatanit.
Ish presidenti Trump nuk është akuzuar në këtë rast. Por gjyqi i kompanisë së tij me emër që tani drejtohet nga dy nga fëmijët e tij të rritur – Donald Trump Jr. dhe Eric Trump – vjen ndërsa ish-presidenti republikan mendon të kandidojë përsëri në vitin 2024. Zoti Trump përballet me hetime të tjera nga prokurorët federalë dhe shtetërorë, përfshirë ato të përpjekjes për të të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 dhe marrjen e dokumenteve qeveritare nga Shtëpia e Bardhë kur u largua nga detyra.
Organizata Trump mund të përballet me gjoba deri në 1.6 milionë dollarë për tre akuzat për mashtrim tatimor dhe gjashtë akuza të tjera që u ngritën. Dy nga filialet e saj – Trump Corporation dhe Trump Payroll Corp – janë subjektet e akuzuara në këtë rast.
Avokatët e Organizatës Trump kanë shprehur pretendimin se çështja është një “ndjekje selektive” e bazuar në armiqësinë e prokurorisë ndaj zotit Trump për pikëpamjet e tij politike, megjithëse gjyqtari që e mbikëqyr atë e ka hedhur poshtë këtë argument. Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg dhe paraardhësi i tij që filloi hetimin, Cyrus Vance, janë demokratë.
Avokatët e kompanisë thanë gjithashtu se prokurorët nuk i paraqitën asnjë provë jurisë së madhe që ktheu aktakuzën se Organizata Trump iu shmang taksave të pagave. Ata thanë gjithashtu se prokurorët po kërkonin të ndëshkonin kompaninë sepse “një pjesë e vogël e punonjësve të saj dyshohet se nuk raportuan përfitimet e vogla në deklaratat e tyre të taksave personale”.
Fakti që Organizata Trump vazhdoi të bënte pagesa jashtë dokumentave për kaq shumë vite mund t’i ndihmojë prokurorët të tregojnë se ajo synon të shkelë ligjet tatimore, një element kyç për të provuar fajësinë e saj para jurisë, tha Bridget Crawford, një profesoreshë juridike në Universitetin Pace në Nju Jork e specializuar në tatimin mbi të ardhurat dhe korporatat.
“Dështimi për të raportuar një herë mund të jetë një gabim. Dështimi për të raportuar gjatë një periudhe kohore është mashtrim,” shtoi zonja Crawford. “Nëse dini për detyrimet tuaja tatimore – të cilat i bëjnë të gjithë njerëzit me përvojë dhe mendjemprehtësi – dhe me vetëdije i shpërfillni ato, synon për të mashtruar qeverinë.”
Çështja penale është e ndarë nga padia civile për mashtrim (Donald Trump dhe fëmijët janë paditur nga Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut për mashtrim) që Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut Letitia James paraqiti më 21 shtator kundër Organizatës Trump, zotit Trump dhe tre prej fëmijëve të tij të rritur, duke i akuzuar ata për mbivlerësim të vlerave të pasurive për të marrë kredi bankare të favorshme.
Ish-presidenti Trumpi e ka quajtur padinë civile të ngritur nga Prokurorja James, si dhe akuzat e ngritura nga prokurori Bragg si të motivuara politikisht.
James, një demokrate, po kërkon një dëmshpërblim prej 250 milionë dollarësh, të largojë Trump nga pushteti në Organizatën Trump, ta pengojë atë të blejë prona të paluajtshme komerciale në Nju Jork për pesë vjet dhe të vendosë një monitorues të pavarur për të mbikëqyrur operacionet e saj.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit është e kufizuar në kërkimin e gjobave financiare, vuri në dukje Marc Scholl, një ish-prokuror në detyrë. Një korporatë mund të gjobitet deri në 250,000 dollarë për çdo akuzë të lidhur me taksat me të cilën përballet dhe deri në 10,000 dollarë për akuza jo tatimore, shtoi zoti Scholl.
Gjyqi mund t’i bëjë kompanitë e tjera të kujdesshme për t’u marrë me Organizatën Trump, pavarësisht nga çdo dënim që gjyqtari mund të japë përfundimisht, tha Miriam Baer, një profesore në Shkollën Juridike të Brooklyn-it e specializuar në pajtueshmërinë e korporatave.
Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit ka ngritur çështje penale kundër kompanive të profilit të lartë, por gjykimet janë të rralla.
“Ajo hedh një pasiguri mbi kompaninë,” tha zonjaBaer, duke shtuar se shumë kompani kërkojnë të zgjidhin akuzat për keqbërje kriminale përpara se të ngrihen akuzat përmes marrëveshjeve me prokurorët.
Prokurorët thanë se zoti Weisselberg mori përfitime nga kompania në vend të disa pagave, duke përfshirë qiranë për një apartament në Manhattan, pagesat e qirasë për dy makina Mercedes-Benz, pagesa për të afërmit, me Trumpin që nënshkroi pagesa me çeqe për shkollimin e tyre. Ata shtuan se zoti Weisselberg përdori gjithashtu paratë e kompanisë për të blerë sende personale si televizorë dhe qilima, dhe në mënyrë të rreme u tha autoriteteve tatimore se ai nuk ishte banor i qytetit të Nju Jorkut.
Zoti Weisselberg shmangu 900,000 dollarë taksa duke dështuar t’i deklaronte ato përfitime si të ardhura dhe mblodhi 133,000 dollarë në rimbursime që nuk i meritonte, thanë prokurorët.
Dy punonjës të tjerë të Organizatës Trump morën kompensim në formën e strehimit dhe qirasë së makinave, thanë prokurorët.
Nuk ka asgjë të paligjshme për marrjen e kompensimit jo-monetar nga një punëdhënës, por ato përfitime duhet të raportohen si të ardhura, me përjashtim të përfitimeve të vogla si kafeja falas në zyrë, tha Jay Soled, një avokat dhe profesor kontabiliteti në Shkollën e Biznesit Rutgers në Newark të shtetit Nju Xhersi./VOA
Të tjera
-
Sveçla i pakënaqur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Banjskën, çuditet që s’janë përfshirë zyrtarë të Serbisë
Orët e para të se dielës së 24 shtatorit të vitit 2023, Policia e Kosovës u s...
-
Vuçiqi e lidh Kurtin me pro*testat e shqiptarëve në Luginë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar protestën e qytetarëve s...
-
Kosova pjesë e marrëveshjes së ShBA-së për inteligjencë artificiale
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në lansimin e m...
-
Alarmon zyrtari i PDK’së, këto janë pasojat e përjashtimit të mundshëm nga CEFTA
Arben Mustafa, “ministër” në hije i financave nga Partia Demokratike e Kosovë...
-
Parashikimi i motit për të martën
Për të martën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ...
-
Erdogan, Vuçiqit: I rëndësishëm vazhdimi i dialogut me Kosovën
Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan është takuar me presidentin e Serbisë Ale...
-
Komuna e Prishtinës në pritje të votimit të buxhetit për vitin 2025
Kuvendi i Prishtinës nuk ka arritur ende ta miratojë buxhetin për vitin 2025....
-
Valon Syla i reagon ashpër Gold AG: Ti je prindi zero
Reperi, Arian Agushi i njohur me nofkën “Gold AG” ishte i ftuar sonte në emis...
-
“Dështova”, zbulohet letra që shkroi atentatori i Donald Trump
Personi i cili tentoi të eliminonte kandidatin republikan për president Donal...
-
Ia vendosën bllokadën pasi nuk e pagoi parkingun, qytetari në Vushtrri bën veprim të pazakontë!
Komunat e Kosovës kanë nisur aplikimin e pagesave për përdorimin e hapësirave...
-
Rohde pas takimit me Orav: Pres që bashkërisht ta sjellim Kosovën më afër Bashkimit Evropian
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar sot me...
-
“Fatonin e vrau shteti”: Nëna e tij kritikon Bislimin dhe Haxhiun
Shehrije Hajrizi, nëna e Faton Hajrizit, deklaroi se të birin ia vrau shteti....