Sport

Kombëtarja U21 zhvilloi stërvitjen e parë në Tel Aviv

Autori: Gazeta inFokus 10:38 | 15 October 2018

Kombëtarja U21 ka zhvilluar stërvitjen e parë pas arritjes në Tel Aviv, ku të martën, do ta zhvillojë ndeshjen e saj të fundit për ciklin kualifikues të Evropianit 2019, shkruan Gazeta inFokus.

Ndonëse lodhja nga udhëtimi i gjatë ishte evidente, megjithatë futbollistët gjatë stërvitjes e dhanë maksimumin dhe arritën të rigjenerojnë forcat. Përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica gjatë kësaj stërvitje punuan në disa aspekte, por me një ritëm më të ulët, duke pasur parasysh udhëtimin e gjatë të një nate më parë.

Atmosfera në ekip është për lakmi, derisa edhe gjendja e futbollistëve është shumë e mirë. Stërvitjen nga afër e ndoqën edhe anëtarët e KE të FFK-së, Xhelal Broja e Bekim Rexhepi, si dhe Michael Nees, Artan Govori e Gramoz Vokrri.

-Advertisement-

Deklaruan pas stërvitjes:

Rafet Prekazi: Kjo ishte stërvitja e parë në Tel Aviv dhe gjithçka shkoi si duhet. Kushtet janë shumë të mira. Angazhimi, dëshira dhe vullneti i lojtarëve për të dhënë maksimumin nuk ka munguar asnjëherë. Madje, vetë futbollistët kërkuan që të vazhdohet stërvitja pak minuta më gjatë se sa ishte paraparë. Besoj se do të kemi paraqitje të mirë sikurse deri më tash. Mundemi me pas një problem kushtimisht të vogël sepse do ta bëjmë ndërrimin e gjeneratës sepse është loja e fundit për lojtarët e lindur në vitin 1996. Për këtë arsye edhe kësaj radhe kam ftuar 7-8 futbollistë që janë të vitit 1998 ngase dua që të krijojmë ekipin për ciklin e ardhshëm kualifikues. Prandaj, duhet t’u jepet rasti edhe lojtarëve të rinj dhe ky është qëllimi ynë për ndeshjen kundër Izraelit.

Florent Hasani: Pas rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm që kemi pasur normalisht edhe lodhja është e pranishme tek lojtarët. Por stërvitja e parë shkoi shumë mirë dhe e kemi tejkaluar lodhjen. Tash edhe me stërvitjen e nesërme besoj që do të jemi maksimalisht të gatshëm për lojë. Të gjithë presim fitore, të gjithë së bashku duam të marrim rezultatin e duhur pas asaj humbjeje të pamerituar në Mitrovicë. Në radhë të parë duam që ta japim maksimumin për fanellën e Kosovës, derisa në radhë të dytë duam që t’i hakmerremi izraelitëve për atë humbje në Mitrovicë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera