Lajme

Koloneli shqiptar në Turqi: Na vijnë familjarët me foto të të afërmve të tyre, qajnë dhe na kërkojnë ndihmë

Autori: Gazeta inFokus 22:55 | 07 February 2023

Ekipi shqiptar po punon që prej paradites së sotme në ndihmë të popullit turk si pasojë e tërmetit shkatërrimtar me magnitudë 7.8.

Në një lidhje direkte përmes “Skype” nga Malatya drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i cili njëkohësisht është komandanti i efektivëve të misionit të Forcave të Armatosura dhe Personelit në ndihmë të popullit turk, ka dhënë detaje mbi situatën që paraqitet në Turqi.

Mirela Milori: Si është situata? A ka gjasa të ketë të mbijetuar të tjerë?

-Advertisement-

Kolonel Dr. Elton Reso: Shpresojmë, por e bëjnë të vështirë këtë gjë edhe kushtet atmosferike. Janë kushte atmosferike shumë të rënduara, në temperatura nën zero gradë, erëra të forta, të acarta, të cilat e ulin, e minimizojnë edhe gjetjen e individëve apo personave të gjallë. Megjithatë, skuadra jonë po punon. Edhe në këtë kohë që ne po komunikojmë bashkë, pas krahëve të mi, skuadra jonë po punon në një ndërtesë të rrëzuar. Përveç ekipit të kërkim-shpëtimit, ne kemi ardhur këtu dhe me një personel mjekësor prej 12 vetash, përbërë nga 5 mjekë dhe 7 infermierë dhe me ambulanca, të cilat janë në gatishmëri dhe për t’i ardhur në ndihmë popullatës. Personeli jonë mjekësor ka ndihmuar po ashtu në disa raste për evakuuimin e personave të ndryshëm, me problematika të ndryshme, kryesisht dhe familjarëve, pasi situata është e rëndë. Është gjendje shumë e rënduar psikologjike, të vijnë familjarët me fotografi të të afërmve të tyre duke qarë që kërkojnë ndihmë dhe kanë shpresë.

Mirela Milori: Fëmija që shpëtuat ishte vajzë apo djalë?

Kolonel Dr. Elton Reso: Ishte një djalë 3-4 vjeç, menjëherë u nxorr nga rrënojat dhe u shoqërua me personelin mjekësor këtu në drejtim të spitalit. Nuk di të ju them nëse e kishte familjen.

Mirela Milori: A dëgjohen zëra nga njerëzit që ndodhen nën rrënoja, si është situata?

Kolonel Dr. Elton Reso: U bënë gati 48 orë, njerëzit mendojnë se dëgjojnë zëra, ekipet po punojnë, kushtet atmosferike e ulin shpresën, megjithatë optimizmi ekziston. Do të qëndrojmë derisa të jetë e nevojshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera