Lajme

Kolë Puka Mbrohet në Heshtje

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 24 June 2017

Ish-gjyqtari Kolë Puka u mbrojt në heshtje, ndërsa avokati i tij Tahir Rrecaj ishte mjaft i zëshëm.

Kolë Puka, ish-gjyqtari i akuzuar për një varg veprash penale deklaroi se do të mbrohet në heshtje.

“Dëshiroj të mbrohem në heshtje. Qëndroj pranë të gjitha deklarimeve që i kam bërë në shqyrtimet e kaluara për të cilat kjo çështje është kthyer ne rigjykim”, deklaroi Kolë Puka.

-Advertisement-

 Puka në këtë proces gjyqësor akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash, mashtrim e vepra të tjera penale.

Avokati i tij Tahir Rrecaj kërkoi ekspertizë financiare për të përcaktuar saktësisht pretendimet e prokurorit për përfitim material të Kolë Pukës.

“Është me rëndësi që me ekspertizë financiare të vërtetohet saktësisht se sa do të ishte përfitimi eventual i Kolë Pukës dhe vlera e aseteve që propozohen për konfiskim. Ne nuk e dimë vlerën e këtyre aseteve dhe cili do të ishte proporcionaliteti i vlerës së aseteve dhe fitimit të mundshëm”, tha avokati Rrecaj.

Propozimi i Rrecajt u kundërshtua nga prokurori i Prokurorisë Speciale Ali Rexha.

“Propozimi është i pabazë sepse në propozim për konfiskim të aseteve pothuajse secili aset e ka vlerën e vet se sa është blerë, pastaj në shkresat e lëndës në të dhënat financiare shihet qartë se sa mjete janë tërhequr”, tha prokurori Ali Rexha.

Edhe trupi gjykues me në krye Valon Kurtajn e refuzoi propozimin e avokatit Rrecaj për ekspertizë financiare.

“Në raport me vlerësimin e përfitimit të mundshëm nga veprat penale dhe vlerën e aseteve të kërkuara për konfiskim gjykata merr këtë aktvendim refuzohet propozimi i mbrojtjes”, tha kryetari i trupit gjykues Kurtaj.

Pastaj gjatë fjalës përfundimtare prokurori Ali Rexha kërkoi që përveç dënimit kryesor për veprat me të cilat ngarkohet, Kolë Pukës t’i ndalohet ushtrimi i profesionit të avokatit.

Në fjalën përfundimtare avokati Tahir Rrecaj tha se gjatë gjykimit me asnjë provë nuk është vërtetuar që Kolë Puka ka kryer veprat për të cilat akuzohet.

Gjykata do të shpallë aktgjykimin për Kolë Pukën të mërkurën e ardhshme./Kallxo.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera