Opinione

KOHË QË THËRRET PËR KURAJË DHE ANGAZHIM QYTETAR!

Autori: Irakli Kocollari 19:01 | 21 November 2020

Prof. Dr. Irakli Kocollari

Ndoshta nuk do t’i kisha hedhur tani këto kujtime nëse disa lajme jo të këndshme do të kishin tronditur ndërgjegjen qytetare dhe jo vetëm timen…

Në kuadrin e prononcimeve, që bëhen nga subjekte, institucione, shtetërore apo private, qytetarë të thjeshtë, të njohur dhe anonimë, në mbështetje të luftës çlirimtare të UCK-së dhe lidershipit të saj, mësova se disa struktura të rëndësishme të atij vendi apo edhe figura të nderuara të lëmenjve të politikës, kulturës, publicistikës madje edhe të shkencës i janë shmangur angazhimit apo prononcimit kundër farsës ligjore që është ngritur nga Gjykata speciale në Hagë.

-Advertisement-

Heshtja apo mosprononcimi flasin shumë! Ndoshta nganjëherë, ajo, “heshtja”, është cipa vrastare që kërkon të mbulojë mëkatin e dikurshëm, pasivitetin, mungesën e kurajës në momente historike, dilemat politike dhe karrieriste, frika e humbjes së privilegjit dhe pushteteve, tundimi për t’u përballur me dilemën vitale – liri apo nënshtrim?!, ndoshta dhe diçka më keq se kaq – implikime të panjohura informale… që detyrojnë subjekte të hedhin tani jo vetëm mbi supe por edhe mbi fytyrën e tyre mantelet e errët të heshtjes dhe fshehjes gjer në anonimitet.

Por, në çdo rrethanë, vetëm shpirtrat e mëdhenj dinë të gjejnë kurajën të këpusin rrënjët e heshtura të vargonjve të skllavërisë së dikurshme, të tjerët do të vazhdojnë të tërhiqen ende zvarrë, zvarrë!

 

Kthim në 1999: Në Kosovën e lirë, mes erës së barutit, britmave të fitores dhe varrezave masive

Nuk kishin kaluar më shumë se dy ditë nga hyrja e trupave të NATO-s në Prishtinë, ndoshta data 14 qershor 1999, kur i ftuar nga Shtabi i Brigadës 153 të UÇK-së – të Zonës Operative të Llapit, mbërrita në vend-dislokimin e kësaj Brigade të vendosur tanimë në Llukar, në daljen veriore të qytetit të Prishtinës. Ky terren kishte qenë Qendra Logjistike e Armatimit për tërë Armatën Jugosllave të dislokuar për ish-Krahinën e Kosovës.

Duke njohur potencialin e saj të rëndësishëm ushtarak dhe rezervat e mëdha e të rrezikshme me armatim të rëndë, aviacioni i Aleancës së Atlantikut Verior, që kishte informacion të saktë nga terreni dhe njësitë e UÇK-së, e goditi atë me rreth 47 raketa dhe e ktheu vendstrehimin e saj bashkë me armatimin që mbante brenda në një gërmadhë të vërtetë.

Terreni i kthyer në gërmadhë ishte risistemuar përsëri prej luftëtarëve të brigadës 153 të UÇK, e cila nën një disiplinë intolerante ushtarake e kishte kthyer në repart të sajin model.

Me të mbërritur te porta e repartit, më ndaluan dy ushtarë të UÇK-së, por meqë kishin informacion që më parë dhe mbasi më dalluan nga gjuha më morën për krahu tërë gëzim dhe më futën në zyrat e Shtabit të Brigadës ku të gjithë të pranishmit filluan të shihnin tërë ngazëllim, dashuri dhe mall të paparë…. O, Zot këto lloj emocione njeriu nuk i takon asnjëherë në jetë, por kujt fati ia dhuron, ato mbeten plazma e një djepi që përkund dhe trondit shpirtin e trazuar njerëzor në rrugët më emocionale të jetës, si askënd tjetër.

Ata ishin heronjtë!

Unë isha një anonim, që kisha shkuar për të nderuar ata që kishin bërë luftën, heronjtë.

Ata më nderonin mua! Ky është dimensioni vetëm i heronjve!

Ishim njohur vetëm nga larg….

Një ceremoni varrimi me 147 të masakruar në Makovc

Mbas bisedave të para i pyeta luftëtarët e UÇK-së, që kishin padurim dhe uri të më shikonin dhe të më pyesnin pa fund, se ku ndodhej Komandant Adem Shehu. Më thanë se ai u kishte dhënë porosi të më mbanin aty gjersa të kthehej nga një ceremoni varrimi që bëhej pak kilometra më tej, në fshatin Makovc!

I thashë me shaka se nuk do ta zbatoja urdhrin e Komandantit dhe se ata vetë do të duhej të më ndihmonin të nisesha drejt tij, në atë ceremoni varrimi.

U bindën! Dy luftëtarë morën me të shpejtë një makinë që konstatova se ishte e shpuar nga plumbat në disa vende dhe mbas rreth 20 minutash mbërritëm në një livadh të ngushtë, pranë fshatit Makovc. Ceremoninë e varrimit e kishte përgatitur në mënyrë ceremoniale Brigada 153 e UÇK-së me banorët vendas.

Për habinë time, vendi ishte kthyer në një varrezë masive të vrarësh. Pyeta menjëherë i tronditur: “Ç’janë të gjitha këto viktima?”

– “Janë të gjithë të masakruar nga ushtria serbe, burra, gra, pleq, madje edhe shumë fëmijë…. sikundër i shikon… të gjithë civilë të pafajshëm”.

– “Sa të vrarë janë gjithsej?”

“Këtu vendosëm 147 vetë, por numri është shumë më i madh. Një pjesë tjetër e të vrarëve u mbajtën nga familjarët të cilët i varrosën ata tek të afërmit, pranë varrezave familjare, në periferi të fshatit…”

Një viktimë e copëtuar me sharrë të druve

Duke shkuar edhe më tej në radhën e pafund të arkivoleve që vinin dhe rreshtoheshin buzë varreve të hapur enkas, dallova në distancë Komandant Adem Shehun, i cili së bashku me një numër luftëtarësh të përkulur mblidhnin diçka në një batanije!!

U afrova dhe të përmalluar u takuam,… Por, të pikëlluar përpara atyre skenave, pashë se ata përpiqeshin të bashkonin copat e trupit të një burri, i cili ishte prerë me sharrë elektrike të druve nga ushtarët serbë!!!

– Por, cili ishte mëkati i tij!?, pyeta!

– Ai shoqëronte shtatë vajzat e tij për të dalë nga fshati, për të shpëtuar nga duart e përdhunuesve barbarë serbë. Por, ata diku e pikasën dhe i kërkuan të dorëzohej në këmbim të vajzave. Mbasi e shtinë në dorë në mënyrë demonstrative dhe në sy të vajzave ata e shtrinë dhe me sharrën elektrike të druve e prenë në mënyrë barbare copa- copa dhe e lanë ashtu për të përhapur terror…

Një kokë e prerë vajze

Si është e mundur? Si mund të arrijë gjer këtu histeria, makabriteti dhe barbaria njerëzore?, pyeta i tronditur.

Komandant Ademi mi nguli sytë e rënduar, më futi krahun, më tërhoqi fort pas vetes dhe më tha: Eja këtu të shikosh se gjer ku shkon barbaria serbe!

Mbas gati 50 metra më tej pashë dy luftëtarë të UÇK dhe tre vajza të përkulura mbi një arkivol të hapur! Nga larg dallova një fustan të bardhë nusërie që mbulonte shtrirë tërë hapësirën e arkivolit dhe në krye të tij dergjej e heshtur një kokë e prerë e një vajze, por që trupi i saj mungonte…

Ishte bukuria e rrallë e një engjëlli të vërtetë… një tis trishtimi si margaritar qëndronte në anën e qerpikëve të pulitur të saj… kurrë nuk do të largohet nga sytë ajo skenë tronditëse. Askush nuk e identifikonte dot kush ishte, nga cili fshat apo krahinë ishte rrëmbyer barbarisht, cilët qenë prindërit, motrat apo vëllezërit, vatra e saj që ende e priste dhe prej nga ishte shkulur e tërhequr zvarrë. Nuk ishte më shumë se 20 vjeçare… Dhe ja ende pa i gëzuar pranverat e bukura dhe ëndrrat e imagjinuara të rinisë së saj merrte rrugën e përtejme… Me një fustan nusërie, që i kishin vendosur dy bashkëmoshatare të fshatit Makovc, nisej drejt një dasme që ajo hyjni nuk do ta shihte kurrë, por që do ta merrte përjetësisht me vete si një krijesë e dëlirë, e pafajshme dhe viktimë e kanibalizmit serb, duke lënë për ne të gjallët dhe bashkëmoshatarët e saj, amanet Kosovën e Lirë!

In Memomorium

Ja atje!

Atje,…

…. në varrezat e “Masakrës së Makovcit” gjendet edhe sot një varr me kokën e prerë të një vajze anonime, që gjithnjë e sjell nëpër mëndje me emrin “Hyjnia, engjëll e Kosovës”. JU LUTEM, njerëz,  mos harroni, kur të kaloni andej përuluni me nderim për ta ledhatuar pak atë krijesë që ende kërkon të afërmit e saj dhe të afërmit e kërkojnë atë… ajo është pjesë e jona, e gjakut, e dhimbjes, e kujtesës dhe lirisë sonë!

Do t’u dhuroj tokën e prikës time si shtrat ku të flenë martirët

Ndërsa lëviznim krah për krah me Komandant Ademin, në radhën e arkivoleve të të masakruarve, buzë varreve të porsahapur në dheun e butë të atij livadhi të bukur, konstatova se përreth nuk kishte varre të vjetër.

– Ku janë varret e vjetra të fshatit, nuk ndodhen këtu?

– Jo, mu përgjigj në gjysmë heshtje Ademi. Nuk kishte vend atje. Dhe papritur, dje më erdhi një plakë e fshatit dhe më tha: – Komandant, biri im! Të vetmen pasuri, të prikës time në fshat, kam një livadh të bukur, që ka diell gjithë ditën. Merreni atë vend për ta bërë shtrat për bijtë e nënave që shkuan për këtë tokë dhe për këtë diell…

Një flamur i heshtur me shqiponjën dykrenore mbuloi të gjithë ato trupa të masakrës së madhe në Makovcit, atë mesditë, duke shkuar në lamtumirën e fundit bashkë me ta…

Nderim për luftëtarët e lirisë

Sigurisht, nuk do të largohesha nga kujtimet për ato ditë mbushur me emocione tronditëse, dhimbje, ngazëllim, trishtim, shpresë dhe besim, që vagullonte nga nëntoka dhe shpirti i njerëzve të lirë të Kosovës, pa përmendur emrat e mjaft luftëtarëve të gjallë të Brigadës 153 që bënë histori.

Mjekja, Teuta Hadri luftëtare e kësaj njësie, që në përfundim të luftës, ndërsa bashkëluftëtari i Brigadës së saj, Rexh Mata u vra heroikisht, ajo mori bijën e vetme të tij, mbetur jetime, një vjeçare dhe e birësoi…

… Trimin dhe luftëtarin e rrallë Rabit Aliu të njohur me nofkën “Komandant Presheva”, historinë e të cilit do ta rrëfejmë një herë tjetër….

… Të riun, patriot dhe luftëtar të vendosur, Qerim Hida, që la studimet për mjeksi dhe u reshtua formacioneve të UCK-së gjer ditën e fundit.. e shumë të tjerë.

Panteoni i lavdisë dhe lirisë së Kosovës mban të gdhendur në gurët e memorjes së tij emrat tuaj!

Kjo ishte dhe mbetet UCK-ja dhe bijtë e saj. Askush nuk mund të fyejë heronjtë dhe të zhvarrosë martirët për t’i vendosur në banka të përbaltura të akuzës, ashtu sikundër askush nuk mund të ngreje në piesdestalet e heronjve vrasësit dhe barbarët e lirisë së popujve.  Historia e ka thënë, bashkë me krismat e fundit të fitimtarëve, fjalën e saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera